Këlliçi denoncon skemën, akuza Ramës për aferë miliona eurosh
“Kompania fantazëm “GLG Investiment” dhe venezueliani prestanome i Gert Hakës, miq të ngushtë të Olsi Ramës”
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka intensifikuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se prej dy javësh nuk ka pasur asnjë reagim apo sqarim lidhur me një skemë të dyshuar financiare, që sipas tij lidhet me persona pranë vëllait të kryeministrit, Olsi Rama.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, Këlliçi pretendon se pas kompanisë “GLG Investment” dhe një shtetasi venezuelian me mbiemrin Marquez qëndrojnë individë të lidhur me Gert Hakën, të cilin ai e konsideron si mik të afërt të Olsi Ramës.
Sipas deputetit demokrat, çështja lidhet me një pronë në Gjirin e Lalzit, e cila fillimisht është blerë për rreth 320 mijë euro dhe në një periudhë shumë të shkurtër është rivlerësuar në afro 26 milionë euro. Ai shton se kjo pasuri është përdorur më pas në një operacion që lidhet me transferimin e një licence kazinoje në ambientet e hotelit “Air Albania” në Tiranë.
Reagimi i plotë i Belind Këlliçit:
“2 javë me akuzën e rëndë, Rama hesht, SPAK nuk bën asgjë dhe vijon pushimet!
Po bëhen 2 javë që Edi Rama është nën një akuzë të rëndë. Kemi njohur publikun dhe qytetarët me fakte dhe të dhëna që tregojnë se si, pas një kompanie fantazëm GLG Investiment dhe një venezueliani me mbiemrin Marquez, miqtë e ngushtë të Olsi Ramës kanë kryer në pak muaj disa operacione financiare që askush nuk do t’i realizonte dot.
Gjendet një tokë në prill të vitit të shkuar në Gjirin e Lalzit me vlerën 320 mijë euro. Pas 2 muajsh, rivlerësohet 26 milionë euro. Dhe me këtë aset tanimë të çmuar, transferohet liçensa e kazinosë në zemër të Tiranës, tek Hoteli i “Air Albania”. Të gjitha këto veprime, një i panjohur, venezuelian, me mbiemrin Marquez, i kryen në 5 muaj!!!
Të dhënat që kemi publikuar bëjnë të qartë se venezueliani është thjesht një prestanome i Gert Hakës, pra rrjedhimisht i Olsi Ramës. Gert Haka është njohje e vjetër e vëllait të Kryeministrit, kur ai jetonte në Miçigan. Olsi me mikun e tij të ngushtë shihen kudo bashkë prej 13 vitesh.
Teksa janë larguar 1 milionë vetë nga qeverisja e keqe, Olsi me mikun e tij janë të vetmit që janë kthyer e kanë gjetur parajsën në Shqipëri.
E gjitha kjo aferë, ka ndodhur me bekimin e disa institucioneve, si Agjencia e Lojërave të Fatit, Drejtoria e Pastrimit të Parave, Autoriteti i Konkurencës, Hipoteka, Krimi Ekonomik, etj. Pra, marrja e një toke, rivlerësimi i saj për 2 muaj 80 herë më shumë, dhe përmes kësaj pasurie, marrja e kazinosë në zemër të Tiranës, e gjitha në 5 muaj, ka ndodhur me bekimin e Edi Ramës. Nuk ka askush tjetër në vend pushtetin për ta lehtësuar kaq shumë një operacion të tillë kaq të dyshimtë.
Prej 2 javësh, Edi Rama hesht, nuk bën asnjë shpjegim a transparencë për këtë akuzë të rëndë.
Këto fakte, dëshmojnë se si drejtohet qeveria dhe shteti sot, se çfarë përfitimesh burojnë për familjarët e Kryeministrit.
Por prej 2 javësh tanimë, me këtë skandal është njohur edhe SPAK, e cila nëse do të ishte prokurori dhe garante e zbatimit të ligjit, tanimë do të duhej të kishte nisur procedimin penal.
Edhe sa duhet të presim që të ketë një reagim ndaj abuzimit më të madh që ndokush ka bërë me pushtetin në historinë tonë?!”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



