Skandaloze ! Letohet Rama, tallet me autizmin: Kush nuk më voton mua është…
Drejtuesi politik i PD-së për qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama të thënë gjatë ditës së sotme, kur deklaroi se “kushdo që voton ‘Kënetën’, politikisht është autik’”.
Këlliçi shprehet se gjuha është skandaloze dhe bullizuese. Ai i ka bërë thirrje Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi që të ndërhyjë për këtë rast, për të ndaluar gjuhën fyese e bullizuese që u përdor nga Rama.
Postimi i drejtuesit politik të PD për qarkun e Tiranës:
“Politikisht je autik, nuk je mirë.”
Një tjetër skandal i gjuhës fyese dhe bullizuese të Edi Ramës.
Pas “rroftë dashnorja” drejtuar vajzave dhe “futuni në Google kërkoni fotot e mia nudo” drejtuar fëmijëve, tani e kanë radhën çrregullimet e spektrit të autizmit të futen në gojën e tij fyese dhe të tregojnë edhe një herë pandjeshmërinë dhe injorancën e kryeministrit.
Njerëzit e prekur nga autizmi nuk janë “çyrykë” dhe as “gjysmakë”.
Janë njerëz të prekur nga një çrregullim psikiatrik i cili u shkakton probleme në sjellje dhe marrëdhëniet personale, por ndonjëherë u jep aftësi të jashtëzakonshme në shkenca ekzakte apo shprehje artistike.
Autizmi shkakton drama të mëdha familjare, ndjeshmëria ndaj të cilave sigurisht duhet të jetë maksimale.
Mirëpo autizmi është një spektër dhe sigurisht që personat e prekur nga ky spektër në nivele të ndryshme janë të integruar më së miri në shoqëri, madje ndonjëherë në elitat e mendimit apo të kërkimit shkencor.
Partia Demokratike i bën thirrje Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Urdhrit të Psikologut dhe çdo institucioni apo organizatë tjetër që ka përgjegjësinë që në këtë rast të ndërhyjë për të frenuar kulturën dhe mentalitetin bullizues ndaj personave të prekur nga autizmi, si dhe nga çdo çrregullim tjetër.
Një shoqëri e qytetëruar ndahet nga një shoqëri e xhunglës pikërisht në raste të tilla, në mbrojtjen e anëtarëve të saj më vulnerabël.