SPAK merr nën hetim Jonaid Myzyrin për shpërdorim detyre në tenderin e dezinfektimit të bregdetit
SPAK nën lupë kreun e KPP Jonaid Myzyri nën hetim për shpërdorim detyre, nisur nga tenderi për dezinfektimin e bregdetit
Kreu i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, është marrë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Ai ka “vizituar” 3 herë SPAK-un brenda një kohe të shkurtër, teksa gjatë kësaj kohe synonte edhe një mandat tjetër në krye të institucionit që drejton.

Një hetim i fshehtë dhe një kallëzim penal që mund të shkundë themelet e sistemit të prokurimeve publike: Publik.al ka zbuluar se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka marrë zyrtarisht nën hetim kreun e Komisionit të Prokurorimit Publik (KPP), Jonaid Myzyri, pas një kallëzimi penal të depozituar për tenderin e dezinfektimit të bregdetit shqiptar.
Hetimi i nisur nga SPAK përfshin dyshimet për “shpërdorim detyre” dhe “favorizim të kompanive në tendera shtetërorë”, dhe është fokusuar konkretisht në veprimet e ndërmarra nga KPP nën drejtimin e Myzyrit gjatë shqyrtimit të një ankese të operatorëve ekonomikë lidhur me tenderin në fjalë.
Skandali që nisi në bregdet
Sipas burimeve të sigurta, kallëzimi penal lidhet me moszbatimin e një vendimi gjyqësor, i cili detyronte Komisionin e Prokurimit Publik të rikthente në garë një kompani të përjashtuar në mënyrë të paligjshme nga procedura e prokurimit për dezinfektimin e vijës bregdetare në Shqipëri, gjatë periudhës së pandemisë.
Pavarësisht vendimit të formës së prerë të gjykatës, KPP, me firmën e Jonaid Myzyrit, ka refuzuar ta zbatojë vendimin, duke legjitimuar fituesin e mëparshëm dhe duke përjashtuar në mënyrë arbitrare garuesin që kishte fituar procesin gjyqësor.
Kjo sjellje, sipas kallëzimit, paraqet elementët e një shpërdorimi flagrant të detyrës, me qëllim favorizimin e një kompanie të caktuar që kishte përfituar qindra milionë lekë nga tenderi.
Problemet me detyrën kanë sjellë që ai të hetohet për abuzime të rënda. Sipas informacioneve,0 Myzyri dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në tenderin për spërkatjen e mushkonjave. Insektet e vogla duket si do i “hanë kokën” kreut të KPP-së.
Myzyri nuk ka zbatuar një vendim të formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit. Ai ka dalë mbi gjykatat, duke i dhënë vetës atribute që s’i takojnë në sistemin gjyqësor.
Faksimile: Tenderi për dezisektimin u bë në vitin 2023
Në dokumente saktësohet se në vitin 2023 është zhvilluar tenderi me disa lote për dezisektimin e zonave urbane dhe bregdetare, duke filluar nga Velipoja për të përfunduar në Ksamil. Kanë qenë disa firma në garë, por shkelje të mëdha janë gjetur në lotet e Fierit dhe Vlorës.
Në Fier ka qenë loti 5 me objekt “shërbim dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarku Fier”, me fond limit rreth 220 mijë euro, zhvilluar në datë 13 qershor 2023 nga Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara.
Në këtë tender kanë marrë pjesë disa firma, ku fitues në APP doli firma “Egian”. Por këtu nis edhe “loja” e Myzyrit. Firmat humbëse e ankimojnë në KPP, e cila vendos të skualifikojë të gjitha firmat që ofruan më pak dhe duka ia dhënë tenderin firmës “NRG”, që ofroi më shumë. Madje, në vendimin e KPP-së shkruhet se firmat që ofruan më pak u skualifikuan për shkak se falsifikuan disa dokumente!
Vërtetë?! KPP-ja është organ hetimor apo gjyqësore? Deri në atë kohë, por edhe sot, s’ka asnjë vendim i organeve ligjzbatuese që përcaktojnë se janë falsifikuar dokumente.
Faksimile: Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit që urdhëron KPP-në që të rishikojë fituesit
Një nga firmat që doli e humbur në KPP, pikërisht “Egian” e dërgoi çështjen në Gjykatën Administrative të Apelit. Në datën 25 korrik 2024, Apeli vendoi që të pranojë padinë dhe të shfuqizojë 2 vendime të KPP-së.
E shkruar e zeza mbi të bardhë, ku pas këtij vendimi KPP-ja duhet të merrte menjëherë masa. Por a mori? Normalisht që jo, pasi ajo kishte urdhëruar që fituesi i tenderit të lidhte kontratën dhe të vijonte procedurën.
Por, jo vetëm që nuk e zbatoi, por Myzyri e refuzoi kategorikisht që të vepronte!
Faksimile: Vendimi i Myzryrit për të mos ekzekutuar vendimin e Apelit
Dokumenti i mësipërm është skandaloz, për të gjithë njerëzit e drejtësisë. Një institucion refuzon hapur që të zbatojë një vendim gjyqësor të formës së prerë. Një arrogancë e frikshme nga një drejtues, që sfidon hapur të gjithë sistemin.
Në një letër të firmosur nga vetë kreu i KPP-së, Myzyri shkuan se ka marrë dijeni për vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, por i ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për t’a pezulluar.
“Për sa më sipër, ju informojmë se, pasi Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë të shprehet mbi kërkesën për pezullimin e ekzekutimit të vendimit, Komisioni i Prokurimit Publik do të vijojë me ndjekjen e hapave të mëtejshëm proceduralë” shkruan ai.
Një shpërdorim i hapur i kompetencave, pasi vendimet e Apelit as nuk mund të diskutohen dhe jo më të mos zbatohen. Por Myzyri me lidhjet e tij jo vetëm që s’i zbaton, por bën të “fortin” duke vijuar me të vetën, të paktën deri para ndërhyrjes së SPAK-ut.
Tre herë në SPAK – por në heshtje
Jonaid Myzyri është thirrur për herë të tretë këtë të martë nga Prokuroria e Posaçme, ku ka dhënë deklarime të gjata, i shoqëruar nga avokati i tij, Ermir Beta. Burime nga brenda SPAK bëjnë me dije për Publik.al se celulari i tij është sekuestruar, në kuadër të hetimeve që synojnë të zbulojnë komunikimet, ndikimet dhe çdo urdhër apo ndërhyrje të mundshme në procesin e vlerësimit të tenderit.
Deri më sot, as KPP dhe as ndonjë institucion tjetër shtetëror nuk ka bërë publike faktin se kreu i këtij institucioni kyç ndodhet nën hetim penal, duke shtuar dyshimet për një përpjekje për të mbuluar skandalin në heshtje.
Komisioni që mbron ose rrënon garën
Komisioni i Prokurorimit Publik është institucioni më i lartë administrativ në fushën e prokurimeve, me fuqi për të rrëzuar, anuluar ose mbështetur tendera me vlera marramendëse, si dhe për të shqyrtuar ankesa për koncesione, PPP, ankande dhe leje minerare. Kush kontrollon KPP-në, kontrollon filtrin final të qindra milionave euro.
Nëse hetimi i SPAK konfirmon dyshimet, kemi të bëjmë me një rast të pastër të kapjes së institucionit nga interesa klienteliste, që shkelin vendime të gjykatës për të mbajtur në fuqi favore korruptive.
Në një kohë kur zyrtarë të tjerë pezullohen për dosje më të lehta, Myzyri vijon të ushtrojë funksionin e tij, pavarësisht se është zyrtarisht person nën hetim për vepra penale të rënda që cënojnë interesin publik dhe garën e ndershme.
A ka mbrojtje politike për kreun e KPP-së? A ndodhet ai nën “ombrellën” e ndonjë segmenti të pushtetit që ka përfituar nga vendimet e tij?
Publik.al i bën thirrje SPAK të veprojë me transparencë dhe të informojë publikun për ecurinë e hetimit ndaj një zyrtari që ndikon drejtpërdrejt mbi miliarda lekë të buxhetit të shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



