Kërcënimi me vdekje i gazetarit Osman Stafa, reagon Policia e Shtetit
Policia e Shtetit ka nisur hetimet pas denoncimit të gazetarit Osman Stafa, i cili ka deklaruar se ka marrë një mesazh me përmbajtje kërcënuese në llogarinë e tij në Facebook.
Sipas Policisë, mesazhi dyshohet se është dërguar nga një llogari e falsifikuar, ndërsa strukturat hetimore po punojnë për identifikimin e personit që fshihet pas saj dhe dokumentimin e plotë të rrethanave.
Në lidhje me rastin, materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”.
Policia bën me dije se hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim identifikimin e autorit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Shtetit thekson edhe angazhimin për garantimin e sigurisë së gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, duke deklaruar se do të reagojë ndaj rasteve të kërcënimit, intimidimit apo presionit.
“Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të garantuar rendin dhe sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve dhe, në veçanti, sigurinë e gazetarëve në ushtrimin e detyrës së tyre”, thuhet në reagimin e Policisë.
Materialet janë referuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 186/a, 121/a dhe 84 të Kodit Penal, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar identitetin e personit që ka dërguar mesazhin kërcënues.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



