Kërcet arma brenda burgut grek, vritet i dënuari
Një ngjarje e rëndë është shënuar në burgun e sigurisë së lartë në Domokos, në Greqi, ku një i burgosur ka humbur jetën pas të shtënave me armë zjarri brenda ambienteve të institucionit.
Sipas mediave greke, incidenti ndodhi kur një i dënuar me burgim të përjetshëm u drejtua drejt zyrës së drejtorit të burgut, me synimin për ta eliminuar atë. Në momentin e ngjarjes, në zyrë ndodheshin drejtori i institucionit dhe dy të burgosur të tjerë, mes tyre një shtetas bullgar i dënuar për vrasjen e biznesmenit Yannis Makris në Vula, si dhe i shumëkërkuari shqiptar Alket Rizai.
Burime paraprake bëjnë me dije se fillimisht ka pasur një debat verbal që më pas ka degjeneruar në përplasje fizike. Në rrethana ende të paqarta, gjatë konfliktit është përdorur një armë zjarri, ndërsa i burgosuri që dyshohet se kishte kërcënuar drejtuesin e burgut është qëlluar për vdekje.
Raportohet se i dënuari me origjinë bullgare ka ndërhyrë për të mbrojtur drejtuesin e sigurisë së burgut dhe arma është gjetur në duart e tij, çka ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet mbi dinamikën e ngjarjes.
Autoritetet greke kanë nisur hetime të thelluara për të zbardhur plotësisht incidentin, ndërsa në fokus është sidomos mënyra se si një armë zjarri mundi të futet në një institucion të sigurisë së lartë. Një ekip nga Prokuroria e Athinës pritet të analizojë pamjet e kamerave të sigurisë dhe të marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë për të rindërtuar me saktësi kronologjinë e ngjarjes.
Pyetja kryesore që mbetet pa përgjigje është: si arriti një armë zjarri të depërtojë në një nga burgjet më të fortifikuara të Greqisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



