Këshilli Bashkiak i Tiranës kërkon Erion Veliajn prezent në mbledhje
Këshilli Bashkiak i Tiranës i është drejtuar SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me kërkesën për të mundësuar pjesëmarrjen e kryebashkiakut Erion Veliaj në mbledhjen e radhës, e cila është planifikuar të zhvillohet më 29 shtator, në orën 15:00.
Kërkesa lidhet me nevojën për të garantuar praninë e Veliajt në një mbledhje ku pritet të diskutohen çështje që lidhen me administrimin e Bashkisë së Tiranës, si dhe qëndrimi institucional për projektligjin mbi ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore.
Në shkresën drejtuar institucioneve përgjegjëse kërkohet që, nëse masat kufizuese që zbatohen ndaj kryebashkiakut nuk lejojnë praninë e tij në sallën e Këshillit Bashkiak, të shqyrtohet mundësia e pjesëmarrjes përmes videokonferencës ose një forme tjetër të komunikimit në distancë.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak është parashikuar të zhvillohet të martën, më 29 shtator 2026, në orën 15:00. Në rendin e ditës është përfshirë edhe pika që lidhet me projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas kërkesës së Këshillit, për këtë çështje nevojitet një qëndrim zyrtar si nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, ashtu edhe nga Këshilli Bashkiak.
Kërkohet përgjigje zyrtare nga institucionet
Këshilli Bashkiak argumenton se pjesëmarrja e kryetarit është e lidhur me ushtrimin e funksioneve të tij institucionale dhe me çështje që kërkojnë prezantimin dhe diskutimin e drejtpërdrejtë të drejtuesit të bashkisë.
Në shkresë i kërkohet SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që të vlerësojnë mundësinë e një lejeje të përkohshme për pjesëmarrjen fizike të Veliajt në mbledhje.
Në rast se kjo nuk mund të realizohet, Këshilli propozon që kryebashkiaku të marrë pjesë online, përmes videokonferencës apo një tjetër mënyre komunikimi të miratuar nga institucionet përgjegjëse.
Këshilli shprehet gjithashtu i gatshëm të bashkëpunojë për plotësimin e çdo kërkese që lidhet me masat e sigurisë, protokollin apo aspektet logjistike që do të nevojiteshin për realizimin e pjesëmarrjes së Veliajt.
Në përfundim të kërkesës, institucionet përgjegjëse ftohen të përcjellin me shkrim vendimmarrjen e tyre lidhur me mënyrën se si do të mundësohet pjesëmarrja e kryebashkiakut në mbledhjen e 29 shtatorit.
“Këshilli Bashkiak do të mblidhet ditën e martë, datë 29 shtator 2026, ora 15:00, në sallën e Këshillit Bashkiak, për shqyrtimin, mes të tjerave, edhe të pikës 11 të rendit të ditës, ku detyrimi për t’u shprehur me një qëndrim zyrtar ndaj projektligjit “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, i takon si Kryetarit të Bashkisë Tiranë, ashtu edhe Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Nisur nga sa është thënë më sipër dhe referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 66, datë 03.11.2025, por edhe duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ju kërkojmë që, nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet:
• lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike,
Ose, nëse kjo nuk është e mundur,• mundësimi i pjesëmarrjes së tij nëpërmjet një modaliteti të përshtatshëm komunikimi (online, videokonferencë apo formë tjetër të aprovuar).
Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.
Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke patur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të të drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak”, thuhet në kërkesë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



