E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Keshilli i Lartë Gjyqësor  i pagoi miliona më 30 qershor Ermal Beqirit
Denoncime

Keshilli i Lartë Gjyqësor i pagoi miliona më 30 qershor Ermal Beqirit

 

Ndersa SPAK-u  kërkonte  arrestimin e ortakut dhe  shokut të Ergys Agasit


Arrestimi i Ermal Beqirit në Francë ka rikthyer në qendër të vëmendjes një paradoks që ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e institucioneve shqiptare. Ndërsa SPAK e konsideron atë një nga figurat kyçe të dosjes së tenderëve të AKSHI-t dhe e akuzon për vepra të rënda penale, kompania e tij, ‘Horizon’, vazhdon të përfitojë pagesa nga fondet publike, përfshirë edhe ato që administrohen nga sistemi i drejtësisë konkretisht nga Keshilli i Lartë Gjyqësor.

Beqiri u ndalua nga autoritetet franceze pasi avioni i lehtë që pilotonte hyri në hapësirën ajrore të ndaluar mbi një central bërthamor në Normandi. Pas identifikimit të tij, autoritetet konstatuan se ai ishte në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të drejtësisë shqiptare. Sipas raportimeve, gjatë kontrollit janë sekuestruar edhe pajisje elektronike, ndërsa autoritetet franceze po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes.

Në Shqipëri, SPAK e akuzon Beqirin për një sërë veprash penale, mes tyre grup i strukturuar kriminal, pastrim parash, manipulim tenderësh dhe heqje të paligjshme të lirisë. Pritet që ndaj tij të nisin procedurat e ekstradimit.

Megjithatë, ndërsa organet e drejtësisë kërkojnë ta vendosin përballë gjykatës, dokumentet financiare tregojnë se kompania e lidhur me të vijon të marrë pagesa nga buxheti i shtetit.

Sipas të dhënave të Thesarit, më 30 qershor 2026 kompania Horizon ka përfituar një pagesë prej 10,958,400 lekësh nga Aparati i Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, institucioni që administron fondet e sistemit gjyqësor.

Nga përshkrimi i transaksionit rezulton se pagesa lidhet me një kontratë të zhvilluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, për ngritjen e platformës informatike Enterprise Service Bus (ESB), një sistem që synon integrimin dhe shkëmbimin elektronik të të dhënave ndërmjet institucioneve të drejtësisë.

Procedura është fituar nga bashkimi i operatorëve Soft & Solution dhe Horizon, ndërsa pagesa prej afro 11 milionë lekësh përfaqëson vetëm një këst të kontratës, çka lë të kuptohet se parashikohen edhe pagesa të tjera sipas ecurisë së projektit.

Këtu lind edhe paradoksi institucional.

Nga njëra anë, SPAK pretendon se Beqiri është në qendër të një skeme të sofistikuar kriminale që lidhet me tenderët publikë dhe sistemet informatike shtetërore. Nga ana tjetër, një institucion i sistemit të drejtësisë vazhdon të ekzekutojë pagesa në favor të kompanisë së tij në kuadër të një kontrate publike.

Në aspektin juridik, një pagesë e tillë nuk është domosdoshmërisht e paligjshme vetëm për faktin se administratori ose pronari i lidhur me kompaninë është nën hetim apo në kërkim. Zbatimi ose ndërprerja e një kontrate publike varet nga kushtet kontraktore, vendimet administrative dhe masat e vendosura nga autoritetet kompetente, përfshirë sekuestron, pezullimin ose përjashtimin nga procedurat e prokurimit.

Megjithatë, rasti ngre një debat të rëndësishëm publik: a duhet të vazhdojnë institucionet shtetërore të ekzekutojnë pagesa ndaj një kompanie të lidhur me një person që kërkohet nga drejtësia për akuza kaq të rënda, veçanërisht kur bëhet fjalë për kontrata që lidhen me infrastrukturën teknologjike të vetë sistemit të drejtësisë?

Kjo është një çështje që kërkon transparencë të plotë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor. Publiku ka të drejtë të dijë nëse kontrata është ende në fuqi, nëse janë kryer verifikimet ligjore për ekzekutimin e pagesave dhe nëse janë marrë në konsideratë zhvillimet penale që lidhen me një nga përfituesit e saj.

Në të kundërt, krijohet perceptimi se ndërsa njëra dorë e shtetit ndjek penalisht një person si pjesë e një organizate kriminale, dora tjetër vazhdon të financojë kompaninë e lidhur me të, duke prodhuar një kontradiktë që cenon besimin e publikut te institucionet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.