KLANET E DIBRËS NË SPAK: AKUZA NDAJ BALLUKUT DREJT ZYRTARIZIMIT
Një deduksion mbi përplasjet e brendshme dhe rolin e Altin Dumanit
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si person nën hetim për akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”. Burime nga brenda institucionit i thanë Publik.al se thirrja për t’u paraqitur në ambientet e SPAK-ut është firmosur nga prokurori i posaçëm Dritan Prençi, dhe i është dorëzuar zyrtarisht Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas të njëjtave burime, Balluku duhet të paraqitet e shoqëruar nga një avokat, një detaj që zakonisht nënkupton komunikimin e një akuze penale.
Megjithatë, ndjekja penale në fazën aktualepritet të ushtrohet pa masë sigurie, çka e përjashton nevojën e kërkesës për autorizim nga Kuvendi.
Një lëvizje që prish “balancat e klaneve” në SPAK
Sipas një burimi të brendshëm të SPAK (që për arsye sigurie mbetet anonim), dinamika rreth dosjes Balluku ka zbuluar ndarje të brendshme mes dy grupeve me lidhje të forta dibrane, të cilat kanë ndikuar në ecurinë e disa hetimeve të profilit të lartë.
Njëri grup, i lidhur me rrethin e Altin Dumanit, dyshohet se ka mbajtur qëndrim më konservator për formalizimin e akuzës, ndërsa grupi tjetër më afër prokurorëve që kërkojnë ritëm më të lartë ka shtyrë drejt përshpejtimit të veprimeve procedurale.
Burimi pohon se zgjedhja e kreut të ri të SPAK dhe përplasjet që pasuan kanë prishur planin e vjetër për mbrojtjen e Ballukut, duke e detyruar institucionin të ecë drejt komunikimit të akuzës zyrtare.
Dosja që ndez hetimin
SPAK nuk ka bërë publik emrin e dosjes përkatëse, por burime të besueshme përjashtojnë rastet administrative dhe fokusohen te projekti i tunelit të Llogarasë një kontratë e rritur me mbi 50 milionë euro pas miratimit të qeverisë.
Hetuesit dyshojnë për shkelje të parimeve të konkurrencës, ndryshime të qëllimshme të kritereve dhe riformulime të kontratës që favorizuan kompaninë fituese.
Thirrja për të hënën
Sipas dokumenteve të siguruara, fletëthirrja për Ballukun është lëshuar për të hënën, 27 tetor 2025, me detyrimin për t’u paraqitur në SPAK.
Nëse gjatë dëshmisë asaj i komunikohet zyrtarisht akuza, ajo do të ketë statusin “e pandehur në gjendje të lirë”.
Deri tani, SPAK nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare, ndërsa zëdhënësi i institucionit është mjaftuar me përgjigjen standarde “pa koment mbi hetimet në zhvillim”.
Rrjedhoja politike
Belinda Balluku, që prej janarit 2019 ka drejtuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe që nga korriku 2022 është zëvendëskryeministre, konsiderohet figura më e fuqishme pas Edi Ramës në kabinetin aktual.
Nëse akuza zyrtarizohet, Partia Socialiste përballet me një test politik të ndjeshëm, pasi heqja dorë nga një prej figurave kyçe do të sillte një krisje të ekuilibrave të brendshëm në qeveri dhe në qarkun Fier, ku Balluku është drejtuesja politike.
Nëse burimi i brendshëm ka të drejtë, përplasja e “klaneve dibrane” brenda SPAK ka hyrë në fazën e parë të ekspozimit publik.
Në një institucion që lindi për të luftuar korrupsionin, vetë lufta e brendshme për pushtet mund të bëhet testi më serioz i integritetit të tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



