Koçeku mes protestuesve: Rama nuk pranon dialog, vetëm monolog
Deputetja e pavarur Marjana Koçeku është pozicionuar në mbështetje të studentëve dhe pedagogëve që marshuan drejt Kryeministrisë, duke kritikuar mënyrën se si kryeministri Edi Rama po i përgjigjet protestës dhe kërkesave të ngritura prej tyre.
Në një prononcim për mediat, Koçeku e cilësoi bashkimin e studentëve me komunitetin akademik si një zhvillim pozitiv për vendin, duke theksuar se shqetësimet e protestuesve kërkojnë zgjidhje konkrete.
“Janë bërë bashkë akademia dhe e ardhmja e vendit. Është një gjë shumë pozitive. Janë disa kërkesa që kërkojnë një zgjidhje”, deklaroi deputetja e pavarur.
Forcat e policisë pranë Kryeministrisë
Koçeku kritikoi gjithashtu praninë e forcave të policisë në mbrojtje të Kryeministrisë, duke e lidhur këtë situatë me mënyrën se si Rama po e trajton përpjekjen për dialog me studentët dhe pedagogët.
Sipas saj, qëndrimi i kryeministrit i ngjan më shumë një komunikimi të njëanshëm sesa një dialogu mes palëve.
“Po ruhen edhe prej forcave policore zoti Rama, më shumë i ngjan tentativave të monologut, seç bën Rama vazhdimisht”, u shpreh Koçeku.
Reagime ndaj ftesës për dialog
Deklarata e deputetes vjen në një moment kur studentët dhe pedagogët janë bashkuar në protestë, duke kërkuar zgjidhje për shqetësimet e tyre dhe duke kundërshtuar qeverinë. Ndërkohë, ftesa e Ramës për dialog është shoqëruar me reagime kundërshtuese nga një pjesë e protestuesve, të cilët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



