“Koka e trafikut”/ Nikolin Janina i “Porcelanosa” përballet në Spanjë me akuzat për 54 kg heroinë: Jam profesor matematike
Pronari i kompanisë shqiptare të hidrosanitareve “Porcelanosa”, Nikolin Janina, është paraqitur para gjykatës së Pontevedrës në Spanjë, ku akuzohet si drejtues i një grupi kriminal që trafikoi 54 kilogramë heroinë në vitin 2016.
Sipas njoftimit të policisë spanjolle, droga u kap më 26 prill 2016, e fshehur në një Porsche Cayenne që drejtohej nga shtetasi shqiptar Rinush G.. Sasia e sekuestruar u cilësua atëherë si më e madhja e vitit në Europë. Në operacion u arrestuan gjashtë persona, përfshirë edhe shtetasin spanjoll Castor G., ndërsa Janina i shpëtoi kapjes pasi ndodhej në Shqipëri. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe në vitin 2022 u arrestua në Tiranë, duke u ekstraduar në Spanjë pas një serie procedurash ligjore.
Në seancën e fundit gjyqësore, Janina u mbrojt duke thënë se është profesor matematike në Universitetin e Tiranës dhe se takimet e tij me Rinush G. dhe Castor G. kishin lidhje vetëm me aktivitetin e tij tregtar në fushën e hidrosanitareve, jo me drogën.

Hetimet e autoriteteve spanjolle, megjithatë, e identifikojnë atë si “kokën” e grupit kriminal, me rol kryesor në financim dhe organizim të trafikut.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



