E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Konfirmohet rasti i parë i Etheve të Nilit në Shqipëri
Lajme

Konfirmohet rasti i parë i Etheve të Nilit në Shqipëri

Është konfirmuar rasti i parë i infeksionit nga Virusi i Nilit Perëndimor në Shqipëri për vitin 2026. Rasti është evidentuar në qarkun e Korçës dhe bëhet fjalë për një 72-vjeçar, i cili ndodhet nën kujdesin mjekësor në Spitalin Rajonal të Korçës.

Sipas të dhënave të bëra publike, i moshuari banon në qytetin e Korçës dhe dyshohet se është pickuar nga një mushkonjë gjatë kohës që qëndronte në një lulishte, ku kalonte pjesën më të madhe të ditës.

Pas shfaqjes së shqetësimeve shëndetësore, 72-vjeçari iu drejtua spitalit për të marrë ndihmë mjekësore. Analizat laboratorike konfirmuan infeksionin nga Virusi i Nilit Perëndimor.

Deri tani, ky mbetet rasti i vetëm i konfirmuar në vend. Personat që kanë pasur kontakt të afërt me 72-vjeçarin janë testuar dhe rezultatet e tyre kanë dalë negative.

Ndërkohë, pritet që një grup specialistësh të ndërhyjë në zonën ku dyshohet se ka ndodhur pickimi, me qëllim dezinfektimin dhe marrjen e masave për kontrollin e mushkonjave.

Ministria e Shëndetësisë: Janë testuar 30 raste të dyshuara

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar zyrtarisht rastin dhe ka bërë të ditur se, që nga fillimi i vitit, janë analizuar 30 mostra nga persona të dyshuar për infeksion me Virusin e Nilit Perëndimor. Të gjitha kanë rezultuar negative.

Sipas ministrisë, rasti i zbuluar gjatë dhjetëditëshit të dytë të gushtit është rasti i parë i konfirmuar në Shqipëri për vitin 2026.

Instituti i Shëndetit Publik ka nisur hetimin epidemiologjik dhe entomologjik të rastit, ndërsa specialistët po vijojnë survejancën në njerëz dhe monitorimin e situatës në të gjithë qarkun e Korçës. Një nga objektivat është verifikimi i pranisë së mushkonjave që mund të transmetojnë virusin.

Çfarë është Virusi i Nilit Perëndimor?

Infeksioni nga Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Shumica e personave të infektuar mund të mos shfaqin simptoma, ndërsa në raste të tjera mund të shfaqen temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të përziera ose të vjella.

Në një pjesë të rasteve, infeksioni mund të shkaktojë forma të rënda neurologjike, duke prekur sistemin nervor dhe trurin. Këto forma mund të jenë serioze dhe, në raste të rralla, të rrezikojnë jetën.

Shqipëria ka regjistruar edhe më herët raste të infeksionit nga Virusi i Nilit Perëndimor. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë vitit 2024 u raportuan 107 raste të konfirmuara dhe 50 raste të mundshme, ndërsa në vitin 2025 u evidentuan dy raste të konfirmuara.

Institucionet shëndetësore po vijojnë monitorimin e situatës në Korçë, ndërsa rezultatet e hetimit epidemiologjik dhe entomologjik pritet të ndihmojnë në përcaktimin e përhapjes së mundshme të mushkonjave që transmetojnë virusin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.