Konflikt në Durrës, denoncim për plagosjen e një 15-vjeçari me sëpatë
Akuza ndaj policisë
Një ngjarje e rëndë është denoncuar në Durrës, ku një qytetare pretendon se bashkëshorti i saj dhe vëllai 15-vjeçar u përfshinë në një konflikt në zonën e Plepave, gjatë të cilit i mituri mbeti i plagosur me sëpatë. Familja kërkon hetim të plotë të rastit dhe ngre akuza edhe për mënyrën se si është trajtuar ngjarja nga policia.
Sipas pretendimeve të denoncueses, konflikti nisi pasi një automjet i preu rrugën me shpejtësi bashkëshortit të saj, çka u shoqërua me debat verbal mes drejtuesve të mjeteve. Situata më pas degjeneroi në përplasje fizike.
Qytetarja pretendon se babai i drejtuesit të automjetit tjetër shkoi drejt bagazhit për të marrë një sëpatë, por u pengua nga vëllai i saj 15-vjeçar. Sipas saj, më pas një prej personave të përfshirë goditi të miturin me sëpatë, duke i shkaktuar plagë në dorë.
Familja thotë se disponon edhe një video të konfliktit, për të cilën pretendon se tregon personin që mban sëpatën, ndërsa 15-vjeçari nuk ushtron dhunë ndaj askujt.
Denoncuesja akuzon gjithashtu Policinë e Durrësit për mënyrën e trajtimit të rastit. Sipas saj, bashkëshorti është mbajtur i shoqëruar në komisariat, ndërsa edhe 15-vjeçari është mbajtur për disa orë, pavarësisht se ishte i plagosur. Familjarët pretendojnë se kanë qenë ata që e kanë transportuar vetë të miturin në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Sipas denoncimit, lidhur me ngjarjen është depozituar kallëzim dhe familja kërkon që rasti të hetohet në mënyrë të paanshme.
Deri në këtë moment nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Durrësit lidhur me pretendimet e ngritura nga denoncuesja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



