Kosova drejt kolapsit, nga 1 janari nuk do të ketë paga e pensione
Dështimi për formimin e një qeverie të re në Kosovë ka rritur ndjeshëm rrezikun që vendi të hyjë në vitin 2026 pa buxhet funksional. Sipas ekspertit të financave, Haki Shatri, kjo situatë mund të çojë deri në falimentimin e shtetit, pasi në fillim të vitit të ardhshëm mund të mungojnë fondet për paga, pensione dhe shtesa për fëmijë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave theksoi se vetëm një qeveri me mandat të plotë mund të ndërmarrë nisma për ndryshimin e ligjit të buxhetit ose për vazhdimin e ndarjeve buxhetore për muajt e parë të 2026-s.
“Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje për të funksionalizuar një të dymbëdhjetën e buxhetit në janar, edhe tërmet të ketë, askush s’mund të ndërmarrë asgjë”, tha Shatri.
“Qeveria në detyrë nuk ka të drejtë të ndryshojë ligjin e buxhetit”
Shatri thekson se Qeveria aktuale në detyrë nuk ka kompetencë ligjore të propozojë as ligje të reja, as ndryshime të ligjeve ekzistuese.
“Qeveria në detyrë mund të zbatojë vetëm ligjet në fuqi. Vendimi për vazhdimin e buxhetit do të ishte i jashtëligjshëm nëse miratohet nga kjo qeveri,” – theksoi ai.
Sipas tij, buxheti aktual është i vlefshëm deri më 31 dhjetor 2025. Pas kësaj date, ligji shfuqizohet automatikisht, dhe çdo vazhdim kërkon një ndryshim formal që mund ta bëjë vetëm një qeveri e plotfuqishme me miratim nga Kuvendi.
Rreziku i “bllokimit total” financiar
Në mungesë të një qeverie të re, Kosova rrezikon që prej 1 janarit të mos ketë asnjë pagesë buxhetore — as për sektorin publik, as për ushtrinë, as për Policinë.
“Nëse më 1 janar nuk ka vendim për vazhdimin e buxhetit, nuk do të ketë paga, pensione, shtesa të fëmijëve apo fonde për ndonjë shpenzim shtetëror, madje as për karburant për veturat qeveritare,” – paralajmëroi Shatri.
Ai shtoi se situata është alarmante dhe e papranueshme për një shtet që prej 25 vitesh gëzon liri dhe pavarësi.
Kuvendi me duar të lidhura
Edhe pse Kosova ka Kuvendin e konstituuar, Shatri thekson se ai nuk mund të veprojë pa propozim nga qeveria ekzekutive.
“Ligjet parashohin që vetëm qeveria e plotfuqishme mund t’i propozojë Kuvendit vazhdimin e buxhetit. Kuvendi nuk mund të marrë nisma të tilla vetë,” – sqaroi ai.
“Udhëheqësit duhet të veprojnë me përgjegjësi”
Sipas ish-ministrit, përgjegjësia bie mbi partitë politike dhe liderët e vendit, të cilët, sipas tij, kanë humbur kohë të çmuar në grindje politike në vend që të siguronin funksionimin normal të institucioneve.
“Jam i trishtuar që pas 25 vjetësh çlirim të flasim për falimentim të shtetit. Udhëheqësit duhet të mendojnë për stabilitetin financiar dhe të mos lejojnë që vendi të hyjë në 2026 pa buxhet,” – përfundoi Haki Shatri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



