KPK shkarkon gjyqtarin Avni Sejdi, kreu deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë

Gjyqtari Avni Sejdi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, u shkarkua nga Komisioni i Pvarur i Kualifikimit, KPK më 19 janar 2024, pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë. Komisioni konstatoi edhe cenim të indikatorit të etikës së magjistratit, por shumica e trupës së KPK e përbërë nga kryesuesi Roland Ilia dhe anëtarja Suela Zhegu, e konsideroi si rast të izoluar dhe të pamjaftueshëm për shkarkim. Megjithëse relatorja Genta Tafa Bungo u bashkua me shumicën për shkarkimin e Sejdit për probleme në kriterin profesional, ajo çmon se gjetjet e konstatuara gjatë hetimit administrativ në kriteret e pasurisë dhe profesionalizmit, çojnë në vlerësimin se subjekti ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Avni Sejdi e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë si ndihmësgjyqtar në vitin 1996 dhe në 2000-in u emërua si gjyqtar në Gjykatën e Mirditës. Në vitin 2007, ai u transferua në Gjykatën e Pukës dhe prej vitit 2013 e deri në shkarkimin nga detyra, e ushtroi funksionin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Problemet për pasurinë

Si burime për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 118 m2 në vitin 2004, kundrejt çmimit 4 milion e 720 mijë lekë, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga paga e tij; kredi bankare në shumën 400 mijë lekë, marrë në vitin 2005 dhe në 2007-ën në shumën 800 mijë lekë; hua 1 milion lekë në vitin 2005, të marrë nga shtetasi B.Z.; dhurata nga vëllezërit emigrantë në Itali në vlerën totale 27 mijë euro; si dhe të ardhura nga shitja e një automjeti në vitin 2007, për çmimin 400 mijë lekë.

Nga analiza financiare e kryer në KPK, ka rezultuar se subjekti nuk ka pasur mundësi financiare për krijimin e gjendjes cash prej 300 mijë lekësh në vitin 2004 duke rezultuar me mungesë burimesh në vlerën 1 milionë e 198 mijë lekë.

KPK nuk ka gjetur probleme në kreditë e marra, por është konstatuar pamundësi për shlyerjen e pjesshme të kredisë së marrë në vitin 2007. Edhe për huanë e marr në shumën 1 milion lekë në vitin 2005, ka rezultuar se huadhënësi ka pasur të ardhura të mjaftueshme, por subjekti ka rezultuar në pamundësi për shlyerjen e këtij detyrimi.

Lidhur me deklarimin se vëllezërit i kanë dhënë dorazi në vitin 2005 një vlerë totale prej 14 mijë eurosh, subjekti ka ndryshuar qëndrim kur KPK i ka kërkuar informacion dhe dokumentacion për të provuar nëse vëllezërit e tij kanë qenë në Shqipëri në momentin e dhënies së dhuratave, për sa kohë këto shuma janë dhënë cash.

Në pyetësorin standard ai ka deklaruar se shumat i ka marrë nga vëllezërit të cilët kanë qenë prezentë në Shqipëri për festat e fundvitit. Por nga verifikimet e KPK ka rezultuar se ka qenë i pranishëm vetëm një prej vëllezërve. Në përgjigje të pytjeve, Sejdi ka deklaruar se për këtë periudhë mund të kenë qenë në Shqipëri të dy vëllezërit, ose njëri prej tyre.

Për rrjedhojë konstatohet se subjekti ka ndryshuar deklarim me qëllim arritjen e një rezultati në favor të tij.

Për dhurimin e një shume nga një prej vëllezërve subjekti ka depozituar llogarinë e tij nga ku rezulton se i vëllai ka transferuar në mars të 2007-ës shumën 8986 euro.

Nga hetimi ka rezultuar se vetë subjekti ka depozituar në shkurt të 2007-ës shumën 4000 euro dhe po atë ditë ia ka transferuar vëllait. Sejdi ka pretenduar se kjo shumë i është dhënë nga vjehrri i vëllait dhe ka depozituar një deklaratë noteriale të këtij të fundit për të konfirmuar këtë version, ku ai shpjegon se i ka dërguar dhëndërrit këtë vlerë për blerjen e materialeve të ndryshme për një servis makine. Po ashtu, vjehrri vëllait shpjegon se këtë shumë ia ka dërguar nëpërmjet numrit të llogarisë së subjektit, sipas sugjerimeve të dhëndërit të tij.

Kjo deklaratë nuk është konsideruar nga KPK, me argumentin se është bërë gjatë hetimit administrativ dhe se ka qëllim krijimin e një situate favorizuese për subjektin. Madje, KPK vlerëson se deklarata noteriale e vjehrrit të vëllait të Sejdit, përmban të dhëna të pavërteta.

“Nga ana tjetër, shtetasi S. K këtë shumë nuk kishte pse ta transferonte nëpërmjet subjektit të rivlerësimit, që është subjekt deklarues, pasi ai mund ta kishte kaluar nëpërmjet llogarive të tij bankare ose të familjarëve të tij”, argumenton Komisioni dhe shton se deklaruesi nuk rezulton të jetë regjistruar për ushtrimin e aktivitetit tregtar për të cilin shpjegon se i janë nevojitur materialet.

Po ashtu, ka rezultuar se në shkurt të 2007-ës, subjekti ka depozituar në llogarinë e të vëllait edhe shuma të tjera, për të cilat KPK konstaton se duket se duket se kanë burim kredinë e marrë në vitin 2007 nga gjyqtari Sejdi.

Në përfundim, në lidhje me shumën e transferuar në llogarinë e subjektit prej 8986 euro, sipas KPK duket se nuk është dhuratë nga vëllezërit e subjektit, por ka si burim të ardhurat e vetë subjektit.

“Transferimi i shumës 7,035 euro tek vëllezërit e subjektit dhe kthimi i kësaj shumë më pas është kryer me qëllim justifikimin e të ardhurave të subjektit për vitin 2007, duke qenë se ai nuk ka të ardhura të mjaftueshme të ligjshme për të mbuluar shpenzimet e tij”, konstaton KPK dhe shton se Sejdi ka kryer deklarime kontradiktore në lidhje me destinacionin e kësaj shume.

Nga analiza financiare e kryer për mundësinë e vëllezërve për dhënien e huave, ka rezultuar se vetëm një prej tyre ka pasur mundësi për dhurimin e shumës 3500 euro në vitin 2008.

Lidhur me pretendimet e subjektit se analiza e vëllezërve të tij duhej bërë bashkërisht pasi kanë jetuar bashkë, Komisioni konstaton se kjo kërkesë është paraqitur për herë të parë pas kalimit të barrës së provës, kur është konstatuar se kishin mungesë burimesh.

“Përveç këtij fakti, rezulton se shtetasi I.S është i martuar dhe se subjekti në të gjitha deklarimet e tij ka deklaruar në mënyrë specifike shumat përkatëse për secilin vëlla, të pretenduara prej tij si të dhuruara”, shton KPK.

Në vijim Komisioni konstaton se dhurimet janë deklaruar vetëm në ato periudha kohore kur subjekti nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme të ligjshme për blerjen e pasurive dhe për rrjedhojë duket se janë fiktive, me qëllim justifikimin e tyre me burime të ligjshme.

KPK shton se subjekti nuk ka vendosur në dispozicion dokumentacionin e kërkuar për gjithë të ardhurat dhe transaksionet e kryera nga vëllezërit, duke e bërë të pamundur realizimin e një analize financiare të plotë për mundësinë për dhurimet.

Komisioni vlerëson se subjekti nuk është treguar bashkëpunues, duke evituar depozitimin e dokumentacionit të plotë bankar të vëllezërve të tij, me qëllim arritjen e një rezultati pozitiv në favorin e tij.

KPK nuk i ka përfshirë në analizën financiare të apartamentit dhurimet nga vëllezërit, ndërkohë që ka konsideruar të ardhurat nga shitja e një automjeti në vitin 2007, në shumën 400 mijë lekë.

Nga analiza financiare e përgjithshme për apartamentin, ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 1.5 milion lekë. KPK konstaton gjithashtu, se Sejdi ka kryer deklarim të pasaktë, të paplotë e të pamjaftueshëm për këtë pasuri.

Relatorja e çështjes, Genta Tafa Bungo në mendimin paralel, shprehet dakord me vendimarrjen e shumicës për pasurinë. Por ajo vlerëson se për apartamentin duhet të merren në konsideratë edhe fakti se subjekti edhe pas kalimit të barrës së provës ka tentuar të paraqesë në mënyrë të pasaktë kohën e pagesës së apartamentit; kohën dhe mënyrën e përfitimit të dhurimeve nga vëllezërit e tij; si dhe ka refuzuar të paraqesë nxjerrjen e llogarive bankare të tyre e të për një marrëdhënie huaje.

Bungo vlerëson ndryshe dhe për të ardhurat nga shitja e automjetit në vitin 2007. Sipas saj, subjekti nuk i ka rrëzuar dyshimet për një vlerë fiktive të çmimit të shitjes dhe blerjes së këtij automjeti, me qëllim justifikimin e shpenzimeve të kryera.

Në vijim, Komisioni konstaton se subjekti është përpjekur të fshehë përdorimin e një automjeti pa u kryer procedurat e nevojshme ligjore, duke mos deklaruar saktë në deklaratën “veting” kohën dhe mënyrën e blerjes së këtij automjeti. Këto veprime të subjektit vlerësohen se nuk përputhen me etikën dhe sjelljen e duhur të një gjyqtari. Ndërkohë, ka rezultuar se Sejdi nuk ka pasur mundësi për blerjen e këtij automjeti në vitin 2012 për çmimin 300 mijë lekë, pasi ka rezultuar me bilanc negativ në shumën 120 mijë lekë.

Sejdi ka rezultuar në pamundësi për dhënien e një huaje 5000 euro në vitin 2008. Po ashtu, konstatohet se ka qenë kontradiktor dhe i paqartë në deklarimet e tij, pasi pretendon se nuk ka dhënë hua, por ndërkohë ka nënshkruar një kontratë huaje fiktive, ndërkohë që palët kanë pasur qëllim shitjen e një automjeti dhe jo dhënien e huasë. Këto veprime vlerësohet se nuk përputhen me etikën e magjistratit.

Komisioni nuk ka konsideruar të ardhurat e pretenduara nga subjekti se janë përfituar nga kultivimi kulturave bujqësore, pasi nuk janë dokumentuar dhe as janë deklaruar periodikisht apo në deklaratën “veting”.

Nga analiza financiare e përgjithshme e Komisioni, konkludon se gjyqtari Avni Sejdi rezulton me bilanc negaiv në vlerën totale 3.6 milionë lekë.

Në pëfundim të rivlerësimit të këtij kriteri, KPK konkludon se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm, situatë që është gjetur të mjaftueshme për shkarkimin e tij nga detyra.

Mendimet ndryshe për cënimin e besimit

Për profesionalizmin, KPK konstaton në disa raste mangësi në aspektin e arsyetimit ligjor dhe aspektin e njohurive ligjore, që konsiderohet se tregojnë mungesë të aftësive profesionale të subjektit. Por këto shkelje nuk janë gjetiur të mjaftueshme për penalizim.

Megjithëse Komisioni ka konstatuar cenim të indikatorit të etikës së magjistratit nga ana e subjektit, duke e konsideruar si rast të izoluar e vlerëson të pamjaftueshëm për ta konsideruar si shkak autonom shkarkimi.

Bungo vëren se Komisioni ka konstatuar në më shumë se një rast cenim të etikës së magjistratit nga ana e subjektit. Ajo rendit problemet e konstatuara – deklarimet e pasakta për kohën e pagesës së çmimit të apartamentit, të përfitimit të dhurimeve, si dhe të marrëdhënies së një huaje; dyshimet për vlerë fiktive të çmimit të shitjes dhe blerjes së një automjeti; cënimin e etikës së magjistratit për veprimet fiktive dhe në sjelljen jashtëgjyqësore; një rast i konfliktit të interesit; mangësitë e përsëritura në njohuritë ligjore dhe cënimin e të drejtave të palëve në gjykim.

Sipas Bungos, këto rrethana do të përbënin mjaftueshëm një bazë të dhënash mbi të cilën mund të konkludohej se subjekti ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, duke e bërë këtë konkluzion të zbatueshëm në mënyrë autonome për shkarkimin e subjektit nga detyra./ Reporter.al

Publikuar nga Publik Media