Kreu i Policisë Hita, pezullon shefin e krimeve në Sarandë
Tërmet në Policinë e Sarandës pas arrestimit të Shefit të Komisariatit dhe 3 efektivë për ndërtimet pa leje në plazh, pezullohet edhe Shefi i Krimeve (EMRAT)
SARANDË, 16 Maj 2026 – Një operacion blic i urdhëruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorinë e Sarandës, ka çuar në pranga kupolën drejtuese të Komisariatit të Sarandës dhe ka sjellë pezullimin e menjëhershëm të Shefit të Krimeve.
Zyrtarët e lartë të policisë akuzohen se kanë mbyllur sytë dhe kanë lejuar ndërtimin e paligjshëm të një objekti (disa struktura prej të cilave edhe brenda në ujë) në një hapësirë plazhi në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar.
Katër të arrestuar/ Kush janë zyrtarët e policisë që përfunduan në pranga
Pas hetimeve të thelluara për nxjerrjen e përgjegjësive ligjore mbi mbrojtjen e territorit, AMP ka ekzekutuar urdhër-ndalimet për katër zyrtarë dhe efektivë të komisariatit të Sarandës:
Komisar Gëzim Bashllari – me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Sarandë;
Nënkomisar Andi Duro – specialist për hetimin e krimeve;
Nënkomisar Ajdin Ismailaj – specialist për rendin;
Inspektor Robert Çullaj – specialist zone.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat e forta për konsumimin e veprave penale “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, të kryera në bashkëpunim. Burimet bëjnë me dije se dyshimet shtrihen edhe për raste të tjera të ngjashme në zonën bregdetare.
Menjëherë pas arrestimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra të katërt efektivët, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur urgjentisht procedurat për përjashtimin e tyre definitiv nga radhët e Policisë së Shtetit.
Pezullohet edhe Shefi i Krimeve, Blerim Tafçiu/ I iku marrjes në pyetje
Vala e ndëshkimeve nuk është ndalur me kaq. Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra edhe Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Sarandës, Komisar Blerim Tafçiun.
Sipas njoftimit zyrtar, Tafçiu është pezulluar pasi nuk është paraqitur për t’u marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore intensive që po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për këtë skandal.
8 të arrestuar në flagrancë dhe pronarja në kërkim
Ndërkohë, në terren, Policia e Vlorës ka ndërhyrë duke arrestuar në flagrancë 8 shtetas të cilët po punonin për ndërtimin e paligjshëm në hapësirën e plazhit. Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasja (pronare e hapësirës së plazhit), për llogari të së cilës po kryheshin punimet pa leje.
Me njoftim të Policisë së Shtetit, fadromat e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake kanë zbarkuar në lagjen nr. 1 në Sarandë duke bërë rrafshimin e plotë të strukturave të paligjshme që ishin ngritur në rërë dhe në ujë.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për të parë nëse ka zyrtarë të tjerë të përfshirë në tolerimin e këtyre krimeve mjedisore në prag të nisjes së sezonit turistik.
publik.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



