Kreu i SPAK: Do godasim funksionarët që bashkëpunojnë me bandat!
Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho, ka dhënë një mesazh të fortë pas operacionit të gjerë të zhvilluar në qytetin e Vlorës kundër një rrjeti të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Në reagimin e shpërndarë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Braho thekson se lufta kundër krimit të organizuar do të vijojë pa asnjë kompromis dhe se çdo grup kriminal apo funksionar publik që bashkëpunon me ta do të përballet me forcën e ligjit.
“Në do të vazhdojmë të godasim me forcën e ligjit krimin e organizuar, si dhe çdo funksionar publik që bashkëpunon apo lehtëson veprimtarinë e tij”, thuhet në mesazhin e shpërndarë nga kreu i SPAK.
Ky reagim vjen menjëherë pas operacionit të zhvilluar në orët e para të mëngjesit në Vlorë, ku në terren u angazhuan forcat speciale të RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe hetues nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Aksioni u realizua për zbatimin e disa masave të sigurisë të lëshuara nga SPAK në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar droge.
Sipas autoriteteve, objektivi kryesor i operacionit ishte goditja e grupit kriminal të drejtuar nga Inez Hajrulla, një emër i njohur për policinë në Vlorë. Megjithatë, pavarësisht kontrolleve të shumta dhe një operacioni që zgjati disa orë, ai nuk u arrit të arrestohej.
Mes personave të ndaluar në këtë operacion është edhe Rezart Kuçi, punonjës policie dhe aktualisht shef seksioni në Policinë Shkencore në Kukës. Ai dyshohet për përfshirje në trafik droge, shpërdorim detyre dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Ndërkohë, në kuadër të të njëjtit hetim është arrestuar në Zvicër edhe ish-polici Hamëz Demushi. Gjithashtu, ndaj Flodian Plakut është komunikuar një tjetër masë sigurie në burg, pasi ai ndodhet tashmë i arrestuar për një tjetër vrasje në Vlorë.
Sipas hetimeve të SPAK, dosja lidhet edhe me dy atentate mafioze të ndodhura në Vlorë në vitin 2021, ku mbetën të vrarë Gentjan Qarri dhe Bledar Birçaj.
Prokurorët e posaçëm dyshojnë se pas këtyre ngjarjeve qëndron grupi kriminal i drejtuar nga Hajrulla. I konsideruar nga hetuesit si një nga figurat më të njohura të botës së krimit në Vlorë, ai ka mundur t’i shpëtojë disa atentateve gjatë viteve të fundit. Edhe gjatë operacionit të fundit të policisë, i zhvilluar në orën 04:00 të mëngjesit, forcat speciale nuk arritën ta lokalizonin, pavarësisht kontrolleve intensive që zgjatën disa orë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



