Krim i rëndë në Pogradec: 52-vjeçarja gjendet e djegur në banesë
Dyshohet për vrasje me motive pronësie
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Pogradecit mëngjesin e sotëm, ku një grua 52-vjeçare, Kozeta Teço, u gjet e pajetë në banesën e saj në lagjen nr. 1, e cila ishte përfshirë nga flakët.
Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një aksident tragjik, por hetimet e para kanë ndryshuar drejtimin e çështjes. Burime nga grupi hetimor konfirmojnë se zjarri në banesë dyshohet të jetë i qëllimshëm dhe ngjarja ka shumë gjasa të jetë kriminale.
Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, në trupin e viktimës janë konstatuar shenja të jashtme dhune, çka përforcon dyshimet se 52-vjeçarja është vrarë përpara se banesa të përfshihej nga flakët.
Aktualisht, pista kryesore e hetimit është ajo e vrasjes për motive pronësie, ndërkohë që Policia e Pogradecit dhe grupi hetimor kanë nisur mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të personave të afërt me viktimën.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës, të cilët shprehen të shokuar dhe kërkojnë zbardhjen sa më të shpejtë të rastit dhe vënien para drejtësisë të autorit apo autorëve të kësaj vepre makabre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



