Krimi ‘gjunjëzon’ shtetin: Dosja Agasi trondit Policinë dhe SHISH-in
“Shteti në gjunjë para krimit, drejtësia bën goditje selektive…”
Kjo frazë nuk tingëllon më si retorikë politike, por si një përmbledhje tronditëse e asaj që del nga dosjet hetimore të SPAK-ut për çështjen “Agasi”, një skandal që ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin real të shtetit dhe hierarkinë e sigurisë kombëtare.
Sipas materialeve hetimore dhe përgjimeve të administruara nga SPAK dhe BKH, Ergys Agasi nuk ishte thjesht një emër periferik, por një nyje e rëndësishme lidhëse mes politikës, strukturave shtetërore dhe botës kriminale. Zyra e tij në zonën e ish-Bllokut, përtej rolit informal si pikë takimi, rezulton të ketë funksionuar si një qendër raportimi ku qarkullonin informacione sensitive nga nivelet më të larta të Policisë së Shtetit dhe shërbimit sekret.
Në dosjen hetimore evidentohet se në ambientet e Agasit kanë qenë të pranishëm edhe drejtues të institucioneve kyçe të sigurisë, përfshirë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe Drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni. Vizitat e tyre, sipas hetimit, nuk kanë qenë sporadike apo formale, por të përsëritura dhe me karakter informues.
Materialet e grumbulluara tregojnë se dy drejtuesit, të ngarkuar ligjërisht me luftën kundër krimit dhe mbrojtjen e sigurisë kombëtare, kanë përcjellë tek Agasi të dhëna konfidenciale mbi operacione policore, hetime në zhvillim dhe bashkëpunime me struktura vendase e ndërkombëtare. Informacioni përfshinte nga persona në kërkim dhe subjekte biznesi nën hetim, deri te të dhëna të ardhura nga Interpol, Europol, DEA, strukturat antiterror, BKH dhe agjencitë partnere të BE-së dhe SHBA-së.
Sipas përgjimeve, disa prej të cilave rezultojnë të jenë regjistruar edhe nga vetë Agasi përmes pajisjeve të fshehta audio-vizive në zyrën e tij, krijohet bindja se raportimi ndaj tij nuk ishte rastësor, por i qëndrueshëm dhe i gatshëm, sa herë që ai kërkonte informacion. Një skemë që, në thelb, e zhvesh shtetin nga autoriteti dhe e vendos atë në shërbim të interesave informale.
Pavarësisht rëndesës së këtyre fakteve, drejtësia duket se ka vepruar me kujdes ekstrem për të mos ekspozuar plotësisht përmbajtjen e takimeve dhe bisedave mes Agasit dhe drejtuesve të sigurisë. Emra të rëndësishëm të hierarkisë së SPAK-ut kanë shmangur publikimin e plotë të detajeve, duke ushqyer perceptimin e një trajtimi selektiv të skandalit.
Rasti i Ilir Prodës është veçanërisht domethënës. Prej më shumë se një viti, ai rezulton nën hetim për dekonspirim aksionesh kundër grupeve kriminale, me telefon të sekuestruar dhe pa Certifikatë Sigurie, ndërsa në dosje përmenden edhe interesa dhe lidhje problematike në botën e biznesit dhe trafikut të drogës.
Nga ana tjetër, edhe emërimi i Vlora Hysenit në krye të SHISH-it ngre pikëpyetje serioze. Ajo ishte shkarkuar më herët nga drejtimi i shërbimit sekret në Kosovë për dyshime mbi rrjedhje informacioni drejt politikës, biznesit dhe qarqeve kriminale, por pavarësisht kësaj, u emërua në krye të inteligjencës shqiptare.
Në këtë panoramë, fjalia e pamfletit “Shteti në gjunjë para krimit, drejtësia bën goditje selektive…” merr kuptim të plotë. Jo si slogan, por si diagnozë e një sistemi ku kufiri mes ligjit, pushtetit dhe krimit duket gjithnjë e më i paqartë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



