E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
OP-ED

Kriza politike në fokusin e analistëve

Andi Bushati (Lapsi)

Rama do të gjejë një argument më shumë për të thënë se megjithëse ai bëri maksimumin e lëshimeve, ata që i tremben vettingut duan me çdo kusht të sabotojnë zgjedhjet.

Ilir Meta do të gjejë të gjitha justifikimet për të fshirë nga fjalori shprehjen “nuk shkoj në zgjedhje pa opozitën”, duke pretenduar se edhe kushti për qeveri besimi dhe ai për shtyrje të 18 qershorit u plotësua.

Ndërkombëtarët që pas deklaratave tejet të ashpra të shefit të diplomacisë gjermane, Gabriel dhe pas qëndrimit të përbashkët Hahn – Mogherini, kërkuan t’i japin edhe një shanc të fundit PD, rrezikojnë t’i heqin vizën.

Zërat disidentë në PD, pas kësaj klime mund të shpërthejnë dhe të dalin hapur kundër Bashès.

Por, megjithëse është i ndërgjegjshëm për të gjitha këto, lideri i PD-së ka thënë sërish “JO”,  i bindur se ka vënë në ruletin e kësaj loje të gjitha fishat e tij.

Ai tani po rrezikon të humbasë gjithçka, me shpresën minimale se mund t’i fitojë të gjitha. Dhe të gjitha përmblidhen tek “koka” e Ramës. Basha pretendon se me këtë kryeministër të molepsur me paratë e koncesioneve, me dhunën e kriminelëve dhe me imoralitetin e mediave të mëdha, është e pamundur të shkohet në zgjedhje.

Por, ka gjasë që kjo të jetë vetëm ana propagandistike e qëndrimit të tij.

Pasi ndoshta Basha po kërkon shumë më tepër se kaq.

Ai po synon t’a tërheqë zvarrë Edi Ramën.

Ai po mëton t’a shkatërrojë rivalin e tij duke i lënë vetëm dy rrugë. Ose t’a detyrojë të tërhiqet i turpëruar si trafikant, ose ta yshtë të marshojë i vetëm drejt zgjedhjeve si diktator.

Dhe për të kapur këtë sfidë pothuajse të paharritshme, Basha apo bën një hara-kiri të fortë. Ai po i përplas derën çdo lloj propozimi tjetër, duke vënë kokën e tij në një rulet- gijotinë.

Mero Baze (Tema)

Shumë vetë besojnë se Edi Rama ka bërë bllof duke pranuar dokumentin, por dhe nëse kjo është e vërtetë, ai është i fituari i këtyre bisedimeve, të paktën si lojtar i mirë. Të njëjtën gjë thanë për të edhe kur miratoi reformën në drejtësi, por ajo tani po ashtu po shkon drejt zbatimit.

Pas kësaj, skena politike pëson një ndryshim të fortë. Nuk është e qartë nëse tani në zgjedhje do të shkohet duke respektuar vendimin e KQZ për mos regjistrimin e koalicioneve, pra secila parti më vete, apo do të ri-interpretohet në datën 29 prill. Por e sigurtë është që LSI do të marrë pjesë në zgjedhje, pas një përpjekje të fortë ndërkombëtare të dështuar, për të kthyer PD në Kuevnd dhe në zgjedhje.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike po shkon drejt bojkotit përfundimtar, pa një vendim politik të forumeve të saj, siç mund të ishte Këshilli Kombëtar apo Kryesia e zgjeruar e Partisë Demokratike.

Ish- kryeministri Berisha, i cili është dhe inspiruesi tinzar i kësaj fryme radikale në Partinë Demokratike, e ka cilësuar më parë vdekjeprurëse bojkotin e zgjedhjeve nga Partia Demokratike dhe po nxit Partinë Demokratike për një protestë të dhunshme në Kavajë më 7 maj, dhe më pas destabilizimin e procesit zgjedhor, me shpresë që procesi të dështojë në terren.

Por nga ana tjetër, qeveria është e qetë dhe e sigurtë në kontrollin mbi situatën, dhe ka një angazhim për të kryer një proces zgjedhor shembullor, dhe për të përballur me ligjin çdo përpjekje për destabilizim.

E vetmja enigmë që ngelet pas kësaj, është nëse kjo që po ndodh me Partinë Demokratike është një betejë e Lulzim Bashës për t’i shpëtuar ballafaqimit zgjedhor, apo një imponim ndaj tij prej Sali Berishës për t’i shpëtuar reformës në drejtësi. Sido që të jetë, është e qartë se është një skenar vdekjeprurës për Partinë Demokratike, e cila pas këtyre zgjedhjeve nuk do të jetë në parlament dhe as aty ku do të vendoset për reformën në drejtësi. Lulzim Basha ka “meritën”, siç e thotë një kolegu ynë, që e transformoi Partinë Demokratike nga një parti antikomuniste dhe kundërshtare e fortë e socialistëve, në një parti antiperëndimore dhe kundërshtare e fortë e Europës. Siç nuk e meritonte! Dhe në vend që të bënte historinë e saj, duket se po e nxjerr atë nga historia.

Bledi Kasmi RD

Përpjekja e Ramës për të tërhequr PD në qeveri, ishte një ofertë amatoreske dhe djallëzore. Sipas saj, Rama do të vazhdonte të ishte garanti i krimit të organizuar në qeveri, por kësaj rradhe ai do të kishte edhe koperturën e opozitës si fasadë për të legjitimuar këtë aktivitet banditesk.
Rama mendonte se në këtë mënyrë mund të blinte me postin e Shalsit apo shalëve të tjerë në qeveri edhe lëvizjen popullore, edhe kauzën e zgjedhjeve të lira edhe betejën për luftën ndaj krimit dhe narkotrafikut. Nisur nga këto kalkulime të Ramës bisedimet e djeshme nuk mund të konsiderohen serioze.
Ato nuk i shërbyen zgjidhjes së problematikës që ka sot vendi dhe nuk e zgjidhën problemin e votës. Rama ka humbur një mundësi për të dalë nga spiralja e një tmerri pa fund që do të përjetojë gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme. Shqipëria në vitin 1991 u përfshi në një betejë nga Tirana në Shkodër për votën e lirë nga manipulimi i zgjdhjeve të 31 Marsit. Eshtë absurde të mendohet se ajo që nuk o tolerua atëhere do të mund të falet sot 16 vite pas në Qershorin 2017.
Opozita ka kërkuar një qeveri teknike pa Ramën në qeveri, ndërsa Rama me delirin e liderit global paraqiti në tryezë një zgjidhje ku të pranohej si Kryeministër edhe nga ministra të PD dhe ai de fakto të shpallej mbret , se në këtë mënyrë nuk do të kishim më as opozitë.
Oferta tjetër e bërë po sipas këtij plani, që në fund të ditës rezultoi të ishte një humbje kohe, ishte që Rama pranonte të shtynte zgjedhjet me tre javë. Për të parën herë, Rama gjithsesi tërhiqet nga teza e vet që ka këmbëngulur deri tani se zgjedhjet nuk shtyhen dhe se e vetmja datë kushtetuese është 18 qershori. Na dilka si datë kushtetuese edhe 16 korriku. Natyrisht, sepse ka dhe data të tjera që mendon opozita dhe që janë edhe koha më optimale për të përmbushur procesin e zgjedhjeve të lira

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.