Kryebashkiakja e Dimal, Memaj harxhon 1,3 miliard lekë për zyrën e saj

Kryetarja e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj, duket se është lodhur nga zyrat e vjetra. Me një dëshirë për “look të ri”, ajo ka porositur një projekt për transformimin e godinës së bashkisë – një ide që do t’i kushtojë qytetarëve plot 1.3 miliardë lekë. Por ku pyet Juli për paratë, kur dëshirat bëhen realitet me një telefonatë tek kryeministri dhe një “Hapu Sezam” arkitektonik!

Siç kemi raportuar këto ditë, në këto projekte luksi nuk mungon emri i zakonshëm i rilindjes së ndërtimit – Astrit Gjikondaj. I njëjti sipërmarrës që vepron si një oktapod tenderash, duke marrë në dorë miliarda lekë në bashkëpunim me një rrjet kompanish ndërtimi. Fuqia e tij është rritur aq shumë, sa në këtë tender e ka spostuar madje edhe “veteranin” Pëllumb Salillari.
Publik.al zbërthen prapaskenat e një projekti që ka më shumë aromë klientelizmi se zhvillimi, dhe ngre pyetjen thelbësore: A është Bashkia Dimal një institucion publik, apo një pronë private në duart e rilindjes së tenderëve?


Bashkia Dimal ka organizuar tenderin “Ndërtimi i godinës së Bashkisë”. Shkresat janë firmosur nga Juliana më 27 nëntor 2024, por procedura u shpall e hapur më 2 dhjetor 2024. Komisioni i autorizuar nga kryetarja ka përllogaritur se për rikonstruksionin e bashkisë do të duhen 108 333 333,00 lekë pa TVSH.

Ashtu siç ishte paravendosur, tenderi i ka shkuar bashkimit të dy kompanive të Astrit Gjikondajt dhe të Fatmir Çobos. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”,  kështu e klasifikuar procedurën Open Data Albania. Për shkeljet e kryera, tenderi ka marrë një “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.

Tender sa për të mbushur letrat

Ky është një tender fiktiv ku marrin pjesë katër kompani, por fituesi është i paracaktuar. Në ditën e mbajtjes së tenderit, më 18 dhjetor 2024 u paraqitën katër pjesëmarrës, ku tre prej tyre janë partnere në kontrata publike të mëparshme.

Fitues i kontratës u shpall bashkimi “ARDMIR” sh.p.k & “ASI-2A CO” sh.p.k me ofertën 103 581 885,00 lekë, ose 124,298,262.398 lekë me TVSH. “Konkurrente” ishin dy firma që kanë qenë bashkë në kontrata publike. Kështu, “SHENDELLI” SHPK është fituese në bashkëpunim me “ASI-2A CO” në 6 tendera.

Ndërsa “ULZA” sh.p.k është ka fituar 3 tendera si partnere e kompanisë tjetër “Ardmir”.

Roli i tyre duket në propozimin e ofertave më të larta se ajo fituese.

“SHENDELLI” SHPK ka bërë ofertën me vlerë 107,453,863.11 lekë pa tvsh dhe 128,944,635.73 lekë me tvsh.  Kurse “ULZA” sh.p.k ofron ta bëjë këtë punë me 107,011,629.924 lekë pa tvsh dhe 128,413,955.908  lekë me tvsh.

“Salillari” sh.p.k  që duket jashtë skemës së Julianës në këtë tender, ka bërë propozimin më ekonomik; 91,873,659.47 lekë pa tvsh dhe 108,118,191.36 lekë me tvsh. Por duke qenë në lojë Astrit Gjikondaj që është në ngjitje dy vitet e fundit, Salillari është skualifikuar nga komisioni.

Oktapodi kap shumë tendera njëkohësisht

“Oktapodi” i tenderave Astrit Gjikondaj ka marrë aq shumë projekte njëkohësisht, sa nuk i dalin “kompanitë- tentakula” që përdor. Më konkretisht, kapaciteti teknik duhet të ishte pikë për skualifikim të dy kompanive fituese sepse janë të angazhuara në kontrata të tjera punësh publike. Sipas dokumenteve të tenderit të Bashkisë Dimal, operatori ekonomik duhet të ketë një punësim mesatar minimum 60 punonjës të vërtetuar nga Administrata Tatimore, ku të specifikohet numri i punonjësve minimumi për 3 muajit e fundit.

Ndërkohë, më 25 mars 2025, kompania e Astrit Gjikondajt fituese e tenderit për ndërtimin e Fushës së Sportit në Valias ka marrë firmë mbështetëse “Ardmir” shpk.

Operatori ekonomik në këtë kontratë angazhohet të ketë një numër mesatar të punonjësve të siguruar jo më pak se 98 punonjës.

Kujtojmë se në këtë tender operatori ekonomik kontraktues që përbëhet nga firmat “ASI-2A CO”sh.p.k; “Shendelli” sh.p.k dhe “ZDRAVA” shpk, të mbështetura nga subjekti “Ardmir”,  u shpall fitues me “Flamur të kuq”.

Për më tepër, më 29 korrik 2024 kompania e Gjikondajt ka marrë me “Flamur të kuq” nga kryetarja Emiriana Sako tenderin për ndërtimin e shkollës “Met Hasa’ në Durrës, me fond 2.4 miliardë lekë. Këtë punë, Gjikondaj akoma nuk e ka filluar. Këto ditë, Gjikondaj firmosi edhe kontratën 380 milionë lekë me kryetarin e Bashkisë, Fation Duro, për “Rikonstruksion i kopshtit me drekë, Patos”.

Pra, komisioni i tenderit nuk është marrë fare me vlerësimin e kapacitetit të secilës firmë për zbatimin e kontratës.

Juliana Memaj sfidon SPAK-un

Në vitin 2022, Gjykata e Beratit, ka vendosur që çështja të shkojë në Prokurorinë e Posaçme, pas një gjyqi gati 2-vjeçar me familjen e Petrit Bahos nga Poshnja e Beratit. Gjykata e Beratit e përcolli në SPAK vendimin për të hetuar zyrtaren Memaj për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”.

Kanë qenë bashkëshortët Baho nga fshati Poshnje të cilët denoncuan Bashkinë Dimal 2 vite më parë pasi  kur bashkia Dimal pronën e tyre, të cilën bashkëshortët thonë se e disponojnë me certifikata të rregullta, ia dha një shtetasi tjetër për ndërtimin e një resorti. Bashkëshortët Baho denoncuan kryebashkiaken e Dimalit Juljana Memaj si dhe 2 punonjës të IMT-së për shpërdorim detyre, shkatërrim të pronës private, mashtrim dhe falsifikim.

Sipas vendimit të gjykatës, ka rezultuar se bashkia Dimal ka shkelur ligjin dhe ka favorizuar haptazi për qëllime përfitimi shtetasin tjetër duke ndërtuar pa leje një resort dhe një klinikë mjekësore në pronën e Bahos dhe në “tokë shtet”.

Me sa duket, Juliana Memaj ndihet e fuqishme, sidomos tani para zgjedhjeve, dhe organizon tendera të tillë ku ka me shumicë prova për të mbushur dosjen e saj në SPAK.

Publikuar nga Publik Media