Kryebashkiaku i Fushë Arrëzit shpërthen ndaj Reformës Territoriale
“Fatet tona nuk mund të vendosen nga një ministër apo deputet, as Puka nuk do të bashkohet me ne”
Kryetari i Bashkisë së Fushë Arrëzit, Hil Curri, ka kundërshtuar projektligjin e Qeverisë për riorganizimin e ri administrativ-territorial, duke e cilësuar të papranueshme mundësinë e bashkimit të Fushë Arrëzit me Bashkinë Pukë.
Curri deklaroi se edhe drejtuesit e Bashkisë Pukë nuk kanë shprehur dakordësi për një bashkim të tillë. Sipas tij, gjatë një proteste të zhvilluar në Fushë Arrëz kundër projektligjit, kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj, ka deklaruar publikisht se nuk ishte dakord me shkrirjen e dy bashkive.
Kryebashkiaku i Fushë Arrëzit tha gjithashtu se nuk ishte ftuar në takimin e zhvilluar të mërkurën nga Kryeministri Edi Rama me kryetarët e bashkive në Kuç të Vlorës.
“Nuk e kanë parë të arsyeshme. Unë të njëjtin qëndrim do të kisha mbajtur”, deklaroi Curri.
Duke iu referuar qëndrimeve të shprehura gjatë protestës, ai tha se kundër bashkimit nuk ishte vetëm kryetari i Bashkisë Pukë, por edhe drejtues të tjerë vendorë.
“Kryetari i Bashkisë Pukë, kryetari i këshillit bashkiak, kryetari i Bashkisë së Mirditës erdhi sepse jemi zonë kufitare dhe na lidhin traditat. Ai deklaroi publikisht që unë nuk jam dakord të bashkohem me Bashkinë e Fushë Arrëzit. Edhe kryetari i këshillit bashkiak deklaroi që nuk jemi dakord”, u shpreh ai.
Curri ngriti pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si po merret vendimi për të ardhmen administrative të komuniteteve. Sipas tij, një proces i tillë nuk mund të përcaktohet vetëm nga vullneti politik i një ministri apo deputeti.
“Si mund të merret veto? Cili deputet i maxhorancës e voton këtë? Trendi i politikës botërore ka ndryshuar, nuk është më si para 10 viteve”, tha Curri.
Ai kundërshtoi idenë që e ardhmja e Fushë Arrëzit të vendoset pa marrë në konsideratë vullnetin dhe interesat e komunitetit vendas. Sipas tij, banorët e kësaj zone kanë ruajtur dhe mbrojtur komunitetin edhe në periudha kur shteti ka pasur prani të kufizuar.
“Ne nuk mund t’i lëmë fatet e të ardhmes të komunitetit të Fushë Arrëzit, që është mbrojtur kur nuk ka pasur shtet, si mund ta pranojmë që me ne mund të luhet”, u shpreh kryebashkiaku.
Curri vuri në dyshim edhe bazën profesionale të projektit, duke deklaruar se nuk beson se riorganizimi territorial është hartuar mbi një ekspertizë të plotë dhe në përputhje me standardet europiane.
Në thelb të kundërshtimit të tij qëndron kërkesa që vendimet për riorganizimin e njësive vendore të mos merren vetëm në nivel politik, por të marrin në konsideratë edhe qëndrimin e komuniteteve dhe institucioneve vendore që preken drejtpërdrejt nga reforma.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



