Kryeministri e ‘mprehi shpatën’ edhe njëherë për situatën !
Naim Noka

Kryeministri Rama “zbulon” pensionistët pas 12 vitesh pushtet se i duhen për vota
Pas 12 viteve në krye të vendit, Kryeministri Edi Rama, duket se papritmas kujtohet për të bërë diçka për pensionistët. Sot, në një takim me të moshuarit e Durrësit, ai foli për nevojën që qytetarët të deklarojnë pagat reale dhe të mos bashkëpunojnë në marrëveshje të paligjshme me punëdhënësit, që shpesh paguajnë një pjesë të rrogës “në të zezë.” Kjo, sipas tij, është një nga arsyet që çon në pensione të ulëta dhe përkeqëson situatën e pensionistëve.
Por sa e besueshme është kjo retorikë? Kryeministri, që ka mbajtur pushtetin për më shumë se një dekadë, po i kërkon sot qytetarëve të kenë vetëdije për të ardhmen e tyre financiare, ndërkohë që vetë qeveria e tij ka injoruar për vite me radhë problemet e sistemit të pensioneve dhe mungesën e një reforme të qëndrueshme.
Hipokrizia e “presionit” ndaj biznesit
Kryeministri tani premton se do të “rrisë presionin” ndaj bizneseve që të deklarojnë pagat reale. Por ky premtim tingëllon bosh për qytetarët që për vite kanë parë një qeveri që favorizon bizneset dhe fuqizon korrupsionin, duke anashkaluar transparencën dhe të drejtat e punonjësve. Madje ka bashki dhe institucione shtetërore që nuk kanë paguar sigurimet e punonjësve me vite të tëra.
Bizneset e mëdha kanë përfituar nga politika të cilat shpesh janë lehtësuese dhe madje favorizuese për ata që janë të lidhur me qarqet e pushtetit. Koncensionet dhe PPP-të kanë gëlltitur miliona euro pa impakt për ekonominë.
Ndërkohë, bizneset e vogla, që përballen çdo ditë me vështirësi të shumta, janë ato që përmenden vazhdimisht nga Rama si “përfitues” të një tatimi zero. Sektori privat është lënë të mbahet në këmbë me minimume, ndërsa ekonomia në tërësi po përballet me një krizë të thellë emigrimi dhe mungese të fuqisë punëtore.
Premtimet boshe për pensionistët
Në vend që të krijojë politika të qëndrueshme që rrisin sigurinë sociale të qytetarëve, Rama bën një fushatë për “presionin ndaj biznesit,” duke e shtyrë përgjegjësinë te qytetarët dhe duke i fajësuar për “vjedhje” të vetvetes dhe të pensionistëve të tjerë. Kjo strategji është tipike për një kryeministër që kërkon të kalojë barrën e problemeve strukturore të qeverisjes së tij te qytetarët e thjeshtë.
Por ku ka qenë ky përkushtim për pensionet gjatë 12 viteve të fundit? Si mundet që tani, kur presioni social dhe pakënaqësitë janë në rritje, Rama të prezantojë “zgjidhje” për një problem që ka ekzistuar dhe është përkeqësuar nën qeverisjen e tij? Ndërsa mijëra të rinj e të reja largohen çdo vit nga vendi dhe pensionistët mezi sigurojnë jetesën, Kryeministri ofron fjalë, por pa asnjë vepër konkrete.
Në fund, një mesazh i vonuar që duket si propagandë
Fjalët e Ramës për përgjegjësinë individuale tingëllojnë të jenë llogje, kur përballen me një realitet ku politika e tij ka çuar në një ekonomi të paqëndrueshme dhe një sistem pensionesh në prag kolapsi. Problemet e pensioneve nuk mund të zgjidhen me moralizime dhe fjalë të vonuara, por me reforma serioze, të cilat mungojnë. Pas 12 vitesh në pushtet, e gjithë PS-ja është derdhur lagjeve pranë pensionistëve duke u munduar të ruajnë monopolin e votave që i kishin të sigurta deri ditën kur qeveria u indeksoi 4,1 % pensionet ose 20 lekë të reja në ditë. Është e pamundur të mos e shohim këtë takim me pensionistët si një tjetër akt propagande, dhe jo si një përpjekje të sinqertë për ndryshuar gjendjen e mjerë të 800 mijë pensionistëve. Kush e kujton këngën komuniste ” Enver Hoxha e mprehi shpatën
Edhe njëhërë o për situatën” i shkon fiks kryeministrit për problemin e pensioneve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



