Kryeministri i Salmonelës dhe i pjeshkëve me pesticide promovon kulla, Shqipëria helmohet!
Landi Çela
Ndërsa Rama shpall kulla për oligarkët, shqiptarëve u serviren fruta me pesticide dhe mish pule me salmonelë. Autoriteti i Ushqimit ka marrë rolin e zëdhënësit të helmimeve.
Tallja me jetën ka arritur kulmin në Shqipëri. Në një vend ku kryeministri njofton çdo ditë ndonjë kullë të re, për të kënaqur sponsorët politikë që i premtojnë mbajtjen në pushtet, qytetarët po blejnë ushqim që është më afër vdekjes sesa mbijetesës.
Vetëm pak ditë më parë, AKU heshti për një ngarkesë prej 27 tonësh mish pule me salmonelë, që kishte ardhur nga Brazili dhe ishte shpërndarë në treg përpara se të jepej alarmi. Sipas vetë institucionit, mishi kishte përfunduar në 157 biznese, restorante, kopshte e çerdhe. AKU nuk thotë se ku, nuk thotë se kush e bleu dhe nuk merr asnjë përgjegjësi. Mjaftohet të thotë: “Na ktheni mbrapsht mishin, nëse nuk e keni ngrënë ende.”
Tre ditë më pas, një tjetër alarm: jo nga AKU, por nga sistemi europian i alarmit të shpejtë për ushqimin (RASFF). Katër ngarkesa me luleshtrydhe nga Greqia kanë hyrë në Shqipëri të ngarkuara me pesticide të rrezikshme për jetën. Ato janë shpërndarë më datë 17 shkurt, gjatë marsit dhe më 1 prill. Vetëm pas alarmit nga jashtë, AKU bëri analizat dhe doli me përfundimin se frutat ishin vërtet të kontaminuara. Por ndërkohë ato ishin shitur!
E njëjta histori ndodhi me mandarinat e eksportuara që Europa na i ktheu mbrapsht për shkak të nivelit të lartë të pesticideve, por që përfunduan në tregun shqiptar. Pra, çfarë nuk hanë europianët, hanë shqiptarët. Me bekimin e qeverisë.
Kush po na helmon dhe pse hesht AKU?
AKU sot duket më shumë si një zëdhënëse e vdekjes, sesa si institucion kontrolli. Por heshtja e saj nuk është rastësi. Burime brenda institucioneve bëjnë me dije se këto ditë qeveria po përgatitet të shkrijë përfundimisht AKU-në, duke e zëvendësuar me një strukturë të re të paqartë, të quajtur “struktura përgjegjëse për kontrollin e veterinarisë dhe bimëve”. As qeveria nuk di të shpjegojë çfarë është kjo.
Për të larë duart përpara këtij vendimi politik, AKU është nxjerrë në publik si e dështuar, në mënyrë që askush të mos kërkojë llogari për shuarjen e saj.
Por a e di kjo qeveri se në çdo vend të qytetëruar, institucionet e sigurisë ushqimore janë nga më të financuarat, më të specializuarat dhe më të kontrolluarat? A e di Edi Rama se nuk ka asnjë precedent ku një institucion zyrtar pranon se “mishi ishte me salmonelë, por u konsumua i tëri para se ta kuptonim”?
Nëse një vend nuk mbron dot as jetën e qytetarëve përmes kontrollit të ushqimit, ai nuk është shtet. Kur qytetarët konsumojnë luleshtrydhe me pesticide, mish me salmonelë e fruta të refuzuara nga BE-ja, ndërsa qeveria shet kulla, atëherë nuk jemi në demokraci – jemi në një regjim të pakontrolluar që luan me jetën për të ruajtur pushtetin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



