🎥Rama takon Ismail Qemalin
“Rama, Ismail Qemali dhe Surrealizmi Shqiptar i Vitit 2025”
Në mëngjesin e parë të vitit 2025, kur era e re e progresit digjital sapo po ngrihej mbi horizontin shqiptar, kryeministri Edi Rama vendosi të hapë një kapitull të ri në historinë e surrealizmit kombëtar. Një video magjepsëse, fryt i bashkëpunimit midis inteligjencës artificiale dhe artit politik, shfaq atë duke ecur krah për krah me Ismail Qemalin – babain e kombit. Një ndërthurje teatrale e së shkuarës dhe së ardhmes, ku sheshet dhe bulevardet e Tiranës shndërrohen në skenografi të një ëndrre politike të gjallë.
Në sfond, Skënderbeu i bronztë qëndron hijerëndë, Bulevardi i Ri ndriçon si arterie e pashuar urbane, ndërsa “shtëpia e pavarësisë” duket si një relikë e rilindur përmes projekteve me vizion të pashoq. Mes tyre, dialogu midis Ramës dhe Ismail Qemalit tingëllon si një simfoni e gërshetuar mes ëndrrës kombëtare dhe realitetit të koncesioneve të përditshme.
Me një zë të krijuar nga algoritmet, Ismail Qemali, me mustaqet që duken më reale se kurrë, dëgjohet të thotë:
“Edi o bir, kjo është Shqipëria që kisha ëndërruar! Rruga Milot-Fier pa garë është një kryevepër e mençurisë kombëtare. Dhe Rruga e Kombit, me pagesë? Një akt i madh vizionar. Tuneli Dhërmi-Fier? Rruga e Arbrit? Gjithashtu me pagesë! Bravo bir, kombi më në fund ka kuptuar çmimin e progresit!”
Rama, i qetë, me atë buzëqeshjen që i jep një përmasë monumentale diskutimit, përgjigjet me tonin e tij të sigurt:
“Zoti Ismail, ne nuk ndërtuam vetëm rrugë. Ne ndërthurëm epokat. Porti i Durrësit, ku ti zbrite nga vapore për herë të parë, po kthehet tani në një kryeqendër të pallateve të Alabbarit. Dhe po, gjithçka me një vizion që sfidon historinë!”
Rrugë me pagesë dhe male me koncesion
Teksa ecin, Ismail Qemali ngre vetullat, i shtangur nga një realitet që vetëm ai dhe Rama duket se mund ta përpunojnë:
“Edi, rrugët me pagesë? A është kjo pavarësi apo një përrallë tjetër që më duhet ta përqafoj?”
Rama, si gjithmonë, i përgatitur për çdo pyetje që sfidon imagjinatën, përgjigjet:
“Rrugët me pagesë janë simboli i pavarësisë së re, Ismail! Sepse çfarë është pavarësia pa një koncesion? Madje, edhe Skënderbeu, po të ishte gjallë, do të kërkonte një tender për të ndërtuar Kështjellën e Krujës. Sepse as liria nuk është më falas!”
Të ndalur para bashkisë së Tiranës, Rama dhe Ismail Qemali shohin një shpërthim fishekzjarresh që ndriçon maketin e inceneratorëve. Ismaili, i zënë ngushtë, tenton të flasë, por Rama e pret me entuziazëm:
“Këtu, zoti Ismail, kemi punuar fort. Pemë kemi mbjellë. Inceneratorë kemi ngritur. Shqipërinë e kemi mbushur me projekte vizionare dhe shqiptarët i kemi bashkuar rreth një liste të gjatë koncesionesh. Dhe mos harro, po japim edhe qeverinë me koncesion! Nuk ka më letra bakalli; gjithçka e gjen në e-Albania. Tani po përgatisim dhe malet për koncesion. Detin e mbyllëm me sukses, dhe mali është thjesht hapi tjetër logjik!”
E ardhmja e surrealizmit shqiptar
Videoja përfundon me dy figurat që ecin drejt horizontit të ndritshëm, mes të kaluarës dhe së ardhmes, ndërsa një zë kumbues pëshpërit:
“Falë inteligjencës artificiale, gjithçka është e mundur. Madje edhe rikthimi i babait të kombit për të miratuar politikat e qeverisë.”
Por një pyetje mbetet e hapur në ajrin surreal të vitit 2025: Kur do të vijë radha e Skënderbeut? Apo dhe ai po pret një tender pa garë?