Kryepolici Skënder Hita pret Komandantin e Guardia di Finanza
Beteja nga ajri kundër kanabisit, Shqipëria dhe Italia zgjerojnë bashkëpunimin
Monitorimi ajror kundër kultivimit të bimëve narkotike është rikthyer në fokus të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve italiane. Në një takim të zhvilluar së fundmi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, priti një delegacion të nivelit të lartë nga Guardia di Finanza, të kryesuar nga Komandanti i Operacioneve Ajrore Detare, Gjeneral Divizioni Joselito Minuto.
Takimi u përqendrua në forcimin e mekanizmave të përbashkët për identifikimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të paligjshëm, përmes përdorimit të avancuar të monitorimit nga ajri. Në këtë kuadër, palët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm si një model të qëndrueshëm dhe efikas në luftën kundër trafikut dhe prodhimit të lëndëve narkotike.
Gjatë bisedimeve, Hita theksoi se partneriteti me Guardia di Finanza ka evoluar ndjeshëm, duke kaluar përtej një bashkëpunimi formal institucional dhe duke u shndërruar në një marrëdhënie të bazuar në besim të ndërsjellë dhe rezultate konkrete në terren. Ai nënvizoi se operacionet e përbashkëta kanë dhënë ndikim të drejtpërdrejtë në parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në territorin shqiptar.
Nga ana tjetër, Gjeneral Minuto rikonfirmoi angazhimin e strukturave që ai drejton për të intensifikuar monitorimin ajror. Ai bëri të ditur se do të rritet numri i fluturimeve mbikëqyrëse, duke synuar verifikimin e çdo zone të identifikuar si me risk të lartë për kultivim të paligjshëm.
Ky koordinim i zgjeruar mes dy vendeve pritet të rrisë ndjeshëm eficiencën e operacioneve parandaluese dhe goditëse, duke forcuar kontrollin mbi territorin dhe duke reduktuar hapësirat për aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



