Kryeqyteti mes kaosit, mbyllet Ambasada e Izraelit në Tiranë
Ambasada e Izraelit në Tiranë ka pezulluar përkohësisht aktivitetin e saj, në një kohë kur protestat që kanë përfshirë kryeqytetin vijojnë të shoqërohen me tensione dhe incidente. Përfaqësia diplomatike ka bërë të ditur se rikthimi në funksion i zyrave do të varet nga ecuria e situatës.
Vendimi për mbylljen e përkohshme vjen ndërsa protestuesit kanë marshuar edhe përgjatë Rrugës së Kavajës, ku ndodhen ambientet e ambasadës izraelite. Për momentin, nuk është përcaktuar një datë konkrete për rifillimin e shërbimeve.
Përmes një njoftimi zyrtar, ambasada ka informuar qytetarët se do të qëndrojë e mbyllur deri në një njoftim të mëtejshëm. Ndërkohë, personat që kanë nevojë për shërbime konsullore urgjente mund të përdorin numrin e emergjencës së përfaqësisë diplomatike.
Në komunikimin e saj, ambasada thekson se rihapja do të përcaktohet në varësi të zhvillimeve të situatës, duke u kërkuar qytetarëve mirëkuptim deri në një njoftim të ri.
Protestat në ditën e katërt
Mbyllja e ambasadës përkon me ditën e katërt të protestave të studentëve dhe gjimnazistëve, të cilat kanë nisur me bojkotimin e procesit mësimor dhe janë shtrirë më pas në rrugët kryesore të Tiranës.
Pjesëmarrësit në protesta kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa tubimet janë zgjeruar edhe në qytete të tjera të vendit. Gjatë ditëve të fundit, situata në kryeqytet është shoqëruar me episode tensioni dhe incidente në disa zona.
Pezullimi i përkohshëm i aktivitetit të ambasadës izraelite është një tjetër zhvillim i regjistruar në këtë situatë, ndërsa vijimi i protestave dhe ecuria e tyre pritet të përcaktojnë edhe hapat e mëtejshëm të përfaqësisë diplomatike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



