Ktheu lokalin në ‘fole’ bastesh e droge, arrestohet pronari dhe klienti në Tiranë
Policia e Tiranës ka goditur një rast të dyshuar të përdorimit të një ambienti biznesi për veprimtari të paligjshme, ku dy persona kanë përfunduar në pranga për aktivitet që lidhet me lëndët narkotike dhe bastet sportive.
Të arrestuarit janë pronari i lokalit, Z.T, 56 vjeç, dhe G.E, 33 vjeç.
Sipas policisë, 56-vjeçari dyshohet se kishte përshtatur ambientin e biznesit të tij në bulevardin “Zhan d’Ark” për përdorimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, si dhe për zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të basteve sportive.
Ndërkohë, 33-vjeçari është kapur në flagrancë në ambientet e lokalit duke vendosur baste sportive përmes telefonit celular.
Sekuestrohen kanabis dhe telefona celularë
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokal, efektivët e policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, si dhe tre aparate celularë që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin e basteve sportive.
Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit policor të koduar “Vendtakimi”, i zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, kontrollet janë kryer me qëllim identifikimin dhe goditjen e rasteve kur ambiente të ndryshme vihen në dispozicion të veprimtarive kriminale.
Materialet procedurale për dy të arrestuarit i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



