Kthyen lavazhin në ambient shitje droge, arrestohen 2 persona
Një operacion i Policisë në Sarandë ka çuar në arrestimin e dy personave, të cilët dyshohet se kishin kthyer një lavazh automjetesh në qendër të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Në pranga kanë rënë një 51-vjeçar me inicialet R.M. dhe një 22-vjeçar me inicialet I.P., të dy banues në Sarandë. Sipas hetimeve paraprake, ata ushtronin aktivitet të paligjshëm duke përdorur ambientet e një lavazhi në rrugën “Idriz Alidhima” si bazë për shpërndarjen e drogës.
Operacioni policor, i koduar “Kamuflimi”, u finalizua pas një pune të gjatë operative dhe hetimore nga specialistët e krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë.
Gjatë kontrollit në ambientet e lavazhit, policia sekuestroi rreth 1 kilogram lëndë narkotike të dyshuar si kanabis sativa, si dhe materiale që përdoreshin për ndarjen dhe paketimin e saj. Po ashtu, u gjetën edhe 2 targa automjetesh dhe 1 targë motomjeti.
Sipas njoftimit zyrtar, ambienti ishte përshtatur në mënyrë të tillë që të maskonte aktivitetin e paligjshëm, duke e bërë më të vështirë zbulimin nga autoritetet.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, e cila pritet të vijojë me hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



