E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ku kanë përfunduar milionat e vetingut?
Lajme

Ku kanë përfunduar milionat e vetingut?

 KLSH në “bunkerin” e KPK, hap dosjet financiare

Kur reforma në drejtësi u nis me bujë në 2017, procesi i vetingut u paraqit si shpëtimi i shumëpritur për drejtësinë e kalbur të Shqipërisë. Premtimi ishte i qartë: gjyqtarët dhe prokurorët me pasuri të pajustifikuara dhe lidhje me krimin do të largoheshin nga sistemi, duke hapur rrugën për një epokë të re të drejtësisë. Tani, gjashtë vjet më vonë, pyetja që bëjnë shqiptarët nuk është më se kush do të mbetet në detyrë, por ku kanë përfunduar milionat e shpenzuara për këtë operacion të shtrenjtë.

Në këtë kontekst, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka ndërmarrë një veprim që shumë e kishin pritur: një auditim të plotë të financave të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), organizata përgjegjëse për zbatimin e vetingut. Deri më sot, KPK ka marrë 783 vendime, duke larguar qindra gjyqtarë e prokurorë, por përveç këtyre statistikave, një tjetër realitet po del në dritë: abuzimi me fondet publike dhe shpërdorimi i pasurisë kombëtare.

Skandalet nuk kanë munguar as në vetë radhët e KPK-së. Rastet ku anëtarët e komisionit u kapën duke pushuar në resorte luksoze të financuara nga subjekte të dyshimta, tregojnë qartë se ndershmëria e premtuar ka qenë shpeshherë një iluzion. Është ironike, që një komision i ngritur për të pastruar drejtësinë, të ndotet nga po ato praktika që premtoi të çrrënjoste.

KLSH tani ka stacionuar grupin e saj auditues në zyrat e KPK-së, duke kërkuar me ngulm të zbulojë se çfarë ka ndodhur me çdo qindarkë të marrë nga buxheti i shtetit që nga 2017.
A janë përdorur këto fonde për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të siguruar një proces të drejtë? Apo tenderët për luks dhe jetën komode të anëtarëve të KPK-së kanë qenë prioritetet e vërteta?

E gjitha kjo hedh dritë mbi një problem më të madh: a ishte ky proces një mjet për të krijuar një drejtësi të re, apo thjesht një fasadë tjetër për të mbuluar realitetin e vjetër të abuzimit me pushtetin?
Shqiptarët kanë dhënë miliona euro për këtë proces, por si gjithmonë, pyetja mbetet nëse do të shohin ndonjëherë drejtësinë që u është premtuar.

Ky hetim financiar është një gur prove për të ardhmen e reformës në drejtësi. Nëse KLSH gjen abuzime, atëherë besimi i publikut do të lëkundet edhe më shumë.
Dhe nëse nuk ka ndëshkime për ata që kanë vjedhur fondet e qytetarëve, do të kemi përpara një provë tjetër se drejtësia në Shqipëri nuk po vjen.

A thua, për të disatën herë, reformat tona po përfundojnë në një qorrsokak korrupsioni? Të gjithë sytë janë mbi KLSH-në tani, sepse në fund të fundit, edhe ata që pretendojnë të jenë të pavarur, kanë nevojë për një filtër të fundit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.