E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kur mbreti Rama bën “viktimën” dhe opozita kërkon një busull?
Lajme

Kur mbreti Rama bën “viktimën” dhe opozita kërkon një busull?

Teatri politik shqiptar sapo ka hapur siparin e një tjetër akti absurd. Në skenë është Zvërneci, një investim i projektuar prej 4 miliardë eurosh nga Jared Kushner (dhëndri i Donald Trump), dhe një protestë që pritet të trazojë planet e regjisorit të vjetër: Edi Rama, i cili aktroi me monologun e tij të radhës prej “martiri të keqkuptuar”, duke kërcënuar mes lotësh hipokritë se “do të ikë në katund” nëse nuk e lejojnë t’i bëjë shqiptarët kampionë të turizmit. Edhe më budallai e di shumë mirë se “mbreti” nuk largohet vetë.

Por përpara se të prekemi nga përlotja kryeministrore në mbledhjen e Grupit Socialist, vlen të bëjmë një pyetje të ftohtë: Pse po protestohet pikërisht sot, dhe pikërisht për këtë investim?

E reja në këtë revoltë të papritur është prania e qytetarëve me shpirt e zemër që dalin në shesh. Pse po dalin jashtë ndikimit të gardhit të “Rilindjes” dhe “Ripërtëritjes”? Ka vetëm një arsye: zhgënjimi nga “mbreti” Rama dhe mosbesimi te rithemeluesi i PD-së, Berisha.

Mbreti Rama ndryshon çdo ligj në këtë vend, siç bëri me ligjin për zonat e mbrojtura. Ndryshe nga mbretërit e kombeve të tjera me gjak blu, që e kanë të shenjtë atdheun, ky i yni bën pazare duke ngrënë supë, mjaft të sigurojë qëndrimin në karrige. Ai fal Portin 2000-vjeçar të Durrësit një kompanie të Emirateve dhe ngre kampe refugjatësh në Gjadër nën juridiksion italian. Tallet me Butrintin duke kafshuar kilometra vijë bregdetare e duke i mbushur me resorte për pastrim parash.

Vetë Edi Ramës, i gjendur nën presionin e skandaleve të AKSHI-t dhe Ballukut, dhe me rrugë të ngrira në Uashington, i intereson kjo protestë, por vetëm me kushtin që ta kontrollojë dhe pastaj ta shuajë, siç di dhe ka bërë në këto 13 vite mbretërim.

Mbreti demagog nuk po ngjit më! Vlora turistike nuk ka ujë dhe drita. Ekonomia është ku thërret qameti! Opozita që zgjedh e rizgjedh veten nuk ka bërë betejat e saj institucionale, ekonomia është në duart e 10 oligarkëve patronazhistë!

Thithja e investitorëve të huaj seriozë dhe legjitimë, siç është familja Trump, është me interes kombëtar dhe e mirëpritur, por vetëm me transparencë! Nxirreni dosjen në publik!

Monopoli i protestave nuk i përket as Rilindjes e as “Ripërtëritjes”.

Nuk bëhesh kampion turizmi serioz perëndimor mbas tokave të Tur Shehut, Pëllumbit sekser, apo qitapeve të manipuluara nga mercenarët e kadastrave tona, për turp!

Ne rrezikojmë ta nxjerrim Shqipërinë përfundimisht nga harta e kapitalit serioz perëndimor, nëse SPAK-u dhe drejtësia do të gjenin një mal me falsifikime të pronave në Zvërnec dhe Pishë-Poro!

Kjo nuk është thjesht një betejë për ca pemë në Zvërnec. Kjo është një betejë me shtetin ligjor privat të mbretit. Ekonomia e tregut dhe shenjtëria e pronës private nuk kanë pikën e vlerës nën mbretërinë e Padishahut!

Protestuesit e zemëruar e kanë betejën e vërtetë me narko-shtetin e Ramës dhe korrupsionin e tij strukturor. Nuk besoj se janë kundër projekteve miliardere që mund të zhvillojnë ekonominë tonë të rrënuar, por kjo duhet bërë me transparencë, ligj dhe drejtësi.

Rama nuk e ka për herë të parë aktrimin nëpër mbledhje grupi, duke kërcënuar se do të ikë në “katund”. Ai thjesht është dëshpërimisht peng i shumë interesave dhe do të largohet vetëm me revolta të mëdha dhe të pakthyeshme, nëse do të mund të shpëtohet ky vend. Pas largimit, edhe ai vetë e di vendin: jo në Surrel, por diku tjetër ose i arratisur!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.