Kur përfaqësuesit e PD-së votojnë kundër kandidatëve të PD-së

Albert Mero

Një nga paradokset më skandaloze të kësaj gare zgjedhore ndodhi pa shumë zhurmë, por me pasoja të rënda politike: dy anëtarët e KAS-it të propozuar nga Partia Demokratike votuan kundër të drejtës së kandidatëve demokratë për të rinumëruar votat.

Ndërkohë që vetë Sali Berisha bënte moralin e transparencës nëpër ekrane – duke thënë se “kandidatët kanë të drejtë të kërkojnë verifikim”  përfaqësuesit e tij në institucionin më të lartë zgjedhor votuan kundër kësaj të drejte.

Po si shpjegohet ky absurd?

A është ky një gabim teknik? Një moskoordinim? Apo një qëllim i ftohtë politik për të mos trazuar listën “e paracaktuar” të fituesve? Sepse nëse votat do të rinumëroheshin, dikush tjetër do të dilte deputet, dhe dikush nga “të përzgjedhurit” do të mbetej jashtë.

Këtu nuk kemi më të bëjmë me gabim. Kemi të bëjmë me një tradhti politike.

Kur përfaqësuesit e PD-së votojnë kundër kandidatëve të PD-së

Dy anëtarët e KAS-it që përfaqësojnë opozitën  përfaqësojnë në letra, jo në vullnet  nuk votuan në funksion të interesit të kandidatëve të PD-së, por në funksion të interesave të ngushta të kupolës që kontrollon emërimet politike. Votuan siç u është thënë nga lart, jo siç u kërkohet nga drejtësia apo transparenca.

Ironia më e madhe është se i vetmi që votoi pro rinumërimit ishte Ilir Rusmali – po, po, ai që Sali Berisha e ka shpallur “vegël të Ramës”, “mercenar të regjimit”, “armik të opozitës”.

Në të vërtetë, Rusmali votoi për një të drejtë elementare demokratike: që çdo kandidat të ketë mundësinë të verifikojë rezultatin, sidomos kur ka dyshime, prova apo mospërputhje.

Ndërsa njerëzit e vetë Berishës  votuan kundër.

Kjo është një goditje e rëndë për çdo demokrat që beson ende te parimet, jo vetëm te partia. Është një mesazh i qartë se lojërat bëhen në tavolinë, jo në kuti. Se më mirë të dalë deputet një “besnik” i udhëheqësit, sesa një kandidat që ka marrë më shumë vota por është i pavarur ose jo pjesë e klanit.

Kjo nuk është vetëm hipokrizi. Është djegie e brendshme e çdo pretendimi për drejtësi elektorale.

Sot, Partia Demokratike nuk u mohua nga KQZ, nuk u mohua nga PS, nuk u mohua nga Rama.

U mohua nga vetja. Nga vetë përfaqësuesit e saj.

Nëse dikush kërkon të dijë pse PD nuk fiton dot, pse nuk bind dot, pse nuk motivon dot as bazën e vet më besnike – le të shikojë këtë votim në KAS.

Ky është ilustrimi më i qartë i një opozite që ha vetveten, ndërkohë që predikon moralin në publik.

Publikuar nga Publik Media