Kur qeveria Rama prek pagat e drejtësisë, po kërcënon vetë shtetin
Naim Noka
Të gjithë jemi dëshmitarë të paloreformës në drejtësi dhe tashmë e dimë sesi u katandis dhe u shkatërrua drejtësia në emër të një reforme që u ndërtua më shumë rreth emrave të partisë dhe kontrollit të individëve sesa rreth efikasitetit, përgjegjshmërisë dhe interesit të qytetarëve. Mjafton të kujtojmë malin me dosje në Gjykatën e Apelit. Në Apelin e Tiranës po gjykohen dosjet e vitit 2017. Kaq mjafton për institucionet e dala nga reforma që u përdor në mënyrë selektive: e pamëshirshme ndaj disa kundërshtarëve politikë të Ramës, e verbër dhe shurdhër ndaj njerëzve të Ramës.
Por në fund të ditës këtë drejtësi kemi! Tani qeveria ka kaluar edhe kufirin i fundit: po pengon ekzekutimin e pagave të magjistratëve dhe të punonjësve të sistemit të drejtësisë, megjithëse ekziston një vendim përfundimtar dhe detyrues i Gjykatës Kushtetuese.
Kur administrata financiare pengon zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ajo nuk bllokon vetëm disa lista pagash. Ajo sfidon rendin kushtetues. 
Kushtetuta nuk është një dokument dekorativ i Edi Ramës, që qeveria e citon në ceremoni dhe e shkel në zyrat e Thesarit. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë këshilla që ministrat mund t’i zbatojnë kur u leverdis në Roskovec nga Zegjineja apo në Bradashesh nga Sara. Ato janë detyrime. Moszbatimi i tyre është cenim i drejtpërdrejtë i shtetit të së drejtës.
Parimi i ndarjes së pushteteve thërrmohet në çastin kur ekzekutivi përdor arkën e shtetit për të disiplinuar pushtetin gjyqësor.
Ama, kur do qeveria, i jep paradhënie Kanye Westit 4 milionë euro!
Jep me koncesion copa Shqipërie, shpërdoron miliona euro me firma bakalli. Një drejtësi që pret lejen e qeverisë për të marrë pagën nuk është më plotësisht e pavarur.
Ajo vendoset nën presionin e atij pushteti që duhet të kontrollojë dhe, kur ka prova, të gjykojë. Ndaj prokurorë dhe gjyqtarë e kanë një rrugë: të ndërpresin për një afat njëjavor të gjitha gjyqet. Dhe të mos tërhiqen derisa Rama të bindet dhe nga veprime të tjera ligjore…
Sepse gjykatat dhe prokuroritë duhen mbrojtur sot, pavarësisht pakënaqësive të ligjshme që kemi për mënyrën si kanë vepruar deri tani. Sepse nuk po mbrojmë privilegjet e magjistratëve. Po mbrojmë kufirin që ndalon qeverinë të kthehet në pronare të çdo pushteti.
Sot Rama bllokon pagat. Nesër mund të bllokohen buxhetet, infrastruktura, administrata dhe vetë funksionimi i institucioneve që duhet të hetojnë zyrtarët e lartë. Kështu ndërtohet nënshtrimi: jo gjithmonë me urdhra të shkruar, por duke ua mbyllur rubinetin financiar atyre që mund të të thërrasin përpara ligjit.
Veçanërisht alarmante është se pagesat janë ekzekutuar në dy zyra të sistemit, ndërsa në pjesën tjetër janë penguar. Ky fakt rrëzon justifikimin e pamundësisë teknike. Kur një detyrim zbatohet për disa dhe bllokohet për të tjerët, kemi trajtim të pabarabartë dhe përgjegjësi konkrete, jo një defekt anonim të administratës.
Ky veprim i qeverisë Rama mban erën e presionit dhe të paralajmërimit. Është një goditje për t’u treguar kufijtë atyre që sot kanë në duar dosjet dhe nesër mund të kenë përpara të pandehur pikërisht njerëzit që kontrollojnë financat publike.
Kjo është fytyra e një pushteti që nuk njeh kufij: qeveris, administron paratë, sfidon vendimet kushtetuese dhe kërkon të mbajë nën ankth edhe institucionet që duhet ta hetojnë. Ky është mentalitet totalitar, edhe kur fshihet pas procedurave burokratike.
Magjistratët nuk duhet të heshtin dhe as të negociojnë zbatimin e Kushtetutës. Duhet të veprojnë me të gjitha mjetet ligjore dhe të kërkojnë përgjegjësi individuale për çdo zyrtar që ka urdhëruar, lejuar apo zbatuar pengimin e pagesave.
Sepse sot nuk është në rrezik vetëm paga e tyre. Është në rrezik e drejta e çdo qytetari për të pasur një gjykatë që nuk pret mëshirë financiare nga qeveria.
Nëse drejtësia dorëzohet përpara presionit dhe urdhrave të Ramës ndaj Thesarit, nesër qytetari nuk do të ketë më ku të kërkojë drejtësi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



