Ekstradohet nga Italia Aleks Ndreka, i njohur si “Leksi i druve”, një nga emrat e kërkuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
49-vjeçari mbërriti në Shqipëri pas finalizimit të procedurave të ekstradimit nga autoritetet italiane, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Interpol Romën, si pjesë e operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.
Ndaj Aleks Ndrekës, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar në vitin 2023 masën e sigurisë “arrest në burg”, nën akuzën për “sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Sipas dosjes hetimore, Ndreka dyshohet se në vitin 2017 ka siguruar informacione për vendndodhjen e tre shtetasve shqiptarë dhe më pas ka organizuar bashkëpunëtorët e tij për ngritjen e pritave me synim eliminimin e tyre fizik.
Aleks Ndreka, i njohur në zonat e Lezhës dhe Shkodrës si “Leksi i druve”, konsiderohet një figurë me peshë në botën e krimit dhe është një nga 15 personat e shpallur në kërkim nga SPAK në operacionin “Metamorfoza”.
Emri i tij del në disa episode të rënda kriminale. Sipas hetimeve, ish-deputeti socialist Arben Ndoka dyshohet se kishte kërkuar eliminimin e Ndrekës, duke e konsideruar të përfshirë në zinxhirin që çoi në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka.
Në komunikimet e zbardhura nga dosja, rezulton se Behar Bajri e kishte angazhuar Ndrekën dhe Prek Kodrën për të mbledhur informacione mbi Dorian Dulin dhe Genc Tafilajn, të cilat më pas i transmetoheshin përmes aplikacionit “Sky”, për organizimin e atentateve.
Vetë Ndreka ka qenë disa herë objekt atentatesh. Autoritetet kanë dokumentuar tentativa të shumta për eliminimin e tij, përfshirë sulme me armë zjarri dhe metoda të sofistikuara me dronë, të gjitha të dështuara. Pas disa atentateve të njëpasnjëshme, ai ishte larguar nga Shqipëria, për t’u rikthyer në vitin 2022, kur sërish u bë objekt sulmesh.
Me ekstradimin e tij, Aleks Ndreka pritet të dalë para drejtësisë shqiptare për t’u përballur me akuzat që rëndojnë mbi të në një nga dosjet më të mëdha të SPAK kundër krimit të organizuar.







