Kush është Kristian Ymeri, 34-vjeçari i arrestuar në Lezhë
Personi në foto është Kristian Ymeri, 34 vjeç, i arrestuar në kuadër të operacionit policor “Detajet”, gjatë të cilit u parandalua një atentat i dyshuar në Lezhë.
Ymeri, i njohur edhe me mbiemrin Shkambi, u arrestua më 9 tetor së bashku me Vinçesk Pirolin, 38 vjeç, dhe Elden Tarjen, 25 vjeç.
Sipas Policisë, Ymeri dhe Piroli u konstatuan duke lëvizur të armatosur dhe me skafandra në rrugën e vjetër Pllanë–Lezhë. Nga hetimet dyshohet se ata po përgatiteshin të kryenin një vrasje, ndërsa Tarja dyshohet se do t’u siguronte largimin nga vendngjarja.
Pas vëzhgimit të lëvizjeve të tyre, forcat e Policisë ndërhynë në aksin Gjadër–Barbullush, ku të tre udhëtonin me një automjet tip “Volkswagen”.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan tri pistoleta, municione, automjeti dhe një motor që rezultonte i vjedhur në Suedi.
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që atentati të ishte porositur kundrejt pagesës. Identiteti i personit që dyshohet se ishte objektiv i sulmit nuk është bërë publik.
Po verifikohet gjithashtu nëse të arrestuarit kanë lidhje me ngjarje të tjera kriminale, përfshirë vrasjen e Artan Myrtajt në Sarandë. Këto dyshime mbeten të pakonfirmuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


