Kush është “Labi” që Agasi donte ta emëronte në krye të kompanisë private?
Dosja e SPAK zbardh presionet, kërcënimet dhe skemën kriminale
Bisedat me Alqi Bllakon dhe mekanizmi që do të godiste edhe ish-ministrin Damian Gjiknuri
Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), ku është goditur grupi i strukturuar kriminal i lidhur me AKSHI-n, përshkruhet në detaje skema e presioneve, kërcënimeve dhe planifikimit të një rrëmbimi për të kontrolluar procedurat e prokurimit publik.
Sipas dosjes, biznesmeni Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe Erion Ismaili, me detyrë zëvendësdrejtor i Policisë së Tiranës, kanë planifikuar dhe organizuar rrëmbimin e shtetasit Gerond Meçe, pasi ky i fundit ishte kthyer në pengesë serioze përmes ankimimeve të vazhdueshme ndaj procedurave të prokurimit të zhvilluara pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Në dokumentin zyrtar të SPAK thuhet se:
“Shtetasit Ermal Beqiri, Ergys Agasi dhe Erjon Ismaili, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë planifikuar dhe organizuar rrëmbimin e shtetasit Gerond Meçe, me qëllim detyrimin e këtij të fundit për t’u tërhequr nga ankimimet e paraqitura pranë Komisionit të Prokurimit Publik.”
Nga analiza e dokumentacionit të prokurimeve rezulton se heqja dorë e Gerond Meçes nga ankimimet pranë KPP-së do t’u krijonte lehtësira të konsiderueshme personave të sipërpërmendur për vijimin e aktivitetit kriminal në fushën e prokurimeve publike. Ky aktivitet, sipas SPAK, ishte pezulluar në disa raste pikërisht për shkak të ankimimeve të paraqitura nga shoqëria “Advanced Business Solutions – ABS”.
Po ashtu, nga deklarimet e vetë Gerond Meçes, SPAK është vënë në dijeni se Erion Ismaili, në cilësinë e zëvendësdrejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, i ka kërkuar atij që “të rrijë larg AKSHI”. Ky fakt përputhet edhe me pamjet e këqyrura në zyrën e Ergys Agasit, të cilat, sipas prokurorisë, provojnë se personat e përfshirë kanë lidhje shoqërore dhe interesa të përbashkëta.
Rasti Gjiknuri – Bixha
Në vijim, dosja e SPAK përmend edhe një episod të vitit 2019, ku Ergys Agasi dhe Alqi Bllako diskutojnë për një situatë në të cilën ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ishte shndërruar në pengesë për realizimin e planeve të tyre. Kjo bisedë analizohet nga SPAK për të ilustruar “modus operandi”-n e Agasit në raste të ngjashme.
Në komunikimet e përfshira në dosje, Alqi Bllako shprehet: “Do e marrin me çdo kusht”, ndërsa në një tjetër SMS thekson: “Të bëjë letrat shpejt”.
Më konkretisht, Ergys Agasi flet për një person me nofkën “Labi”, i identifikuar si Elgert Bixha, të cilin synonte ta emëronte administrator në një shoqëri private që kishte fituar një koncesion nga ministria e drejtuar në atë kohë nga Damian Gjiknuri.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Elgert Bixha rezulton administrator i shoqërisë “FORTIS INERT” sh.p.k., një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e themeluar më 02.11.2022, me seli në Tiranë, Rruga “Irfan Tomini”, Pallati “Bjorn”, Kati 2, Njësia Bashkiake nr. 7. Ortakë të kësaj shoqërie janë Elgert Bixha dhe shoqëria “FORTIS BETON CO.”, sipas të dhënave të QKB deri më 13.01.2023.
Gjithashtu, në dosje përmendet edhe Futboll Club Dinamo City, shoqëri aksionere e regjistruar më 20.09.2021, me seli në Durrës dhe administrator Ilir Sinani, sipas ekstraktit historik të datës 07.06.2024.
Plani dhe kërcënimet
Në një mesazh të datës 06.03.2019, ora 21:54:43, Ergys Agasi shprehet:
“Do ja ** robt, do fusim çunat…”,
një frazë që, sipas SPAK, nënkupton përdorimin e forcës dhe lidhjeve me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore për të “hequr” pengesat administrative.
Sipas dosjes, Damian Gjiknuri nuk e ka realizuar emërimin e kërkuar, por kjo rrethanë lidhet drejtpërdrejt edhe me planin për rrëmbimin e Gerond Meçes. Ashtu si në rastin e Gjiknurit, edhe Meçe kishte krijuar pengesa përmes ankimimeve të shumta pranë KPP-së për procedurat e prokurimit të zhvilluara nga AKSHI, duke treguar se “modus operandi” i këtij grupi kriminal ishte i njëjtë.
“Nga përmbajtja e kësaj bisede evidentohet se personi me emrin ‘Labi’ është shtetasi Elgert Bixha, për të cilin Ergys Agasi synonte ta emëronte administrator në një shoqëri private që kishte fituar një koncesion me ministrinë e drejtuar në atë kohë nga ish-ministri Damian Gjiknuri. Në mesazhin e datës 06.03.2019, ora 21:54:43, Agasi shprehet: ‘Do ja q* robt, do fusim çunat pastaj’, çka nënkupton përdorimin e lidhjeve me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore për të hequr këto pengesa”, thuhet në dosjen e SPAK.
Sipas prokurorisë, dyshimi i arsyeshëm ndaj Ergys Agasit si organizator dhe pjesëmarrës në pengmarrjen e Gerond Meçes përforcohet edhe nga fakti se automjeti i përdorur për kryerjen e pengmarrjes rezulton të jetë në pronësi të subjektit “Merkaj 3” sh.p.k., me NIPT L31722005D, në pronësi të shtetasit Endri Merkaj, siç citohet në dokumentacionin zyrtar të SPAK.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





