Kush është Péter Magyar, lideri që rrit nën hijen e Viktor Orbán

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Njeriu që e rrëzoi nga pushteti dhe i dha fund sundimit 16-vjeçar në Hungari

U rrit nën hijen e Viktor Orbán, por sot është figura që i dha fund dominimit të tij politik. Péter Magyar, lideri i Tisza, ka arritur një fitore historike në zgjedhjet parlamentare në Hungari, duke siguruar rreth 137 mandate nga 199 dhe një shumicë të cilësuar prej dy të tretash.

Ky rezultat po konsiderohet si një nga përmbysjet më të forta politike në Evropën e viteve të fundit, duke i dhënë fund një epoke 16-vjeçare të sundimit të Orbán dhe Fidesz.

Rruga e Magyar drejt pushtetit është po aq simbolike sa edhe rezultati që ai arriti. Në fëmijëri, ai mbante në murin e dhomës së tij fotografinë e Orbán, atëherë një figurë që përfaqësonte shpresën për ndryshim pas rënies së komunizmit. I lindur në vitin 1981 në një familje juristësh, ai ndoqi studimet për drejtësi dhe ndërtoi një karrierë në administratën publike dhe diplomaci, duke u përfshirë edhe në çështje që lidhen me Bashkimi Evropian.

Për vite me radhë, Magyar ishte pjesë e strukturave pranë pushtetit, por me kalimin e kohës u distancua, i zhgënjyer nga mënyra e qeverisjes dhe nga akuzat për korrupsion. Shkëputja e tij u pasua nga një përballje e hapur me sistemin që dikur e kishte brenda, duke e kthyer në një nga kritikët më të fortë të elitës në pushtet.

Në një kohë shumë të shkurtër, ai u shndërrua nga një emër pak i njohur në liderin e një lëvizjeje që mobilizoi një pjesë të madhe të elektoratit. Fushata e tij u fokusua në kritika të drejtpërdrejta ndaj qeverisjes, me premtime për rikthimin e vendit në kursin evropian, luftë kundër korrupsionit dhe forcim të institucioneve demokratike.

Megjithatë, sfida e vërtetë nis tani. Pyetja që mbetet është nëse Magyar do të arrijë të çmontojë mekanizmat e një sistemi që dikur e ka njohur nga brenda, apo nëse kjo fitore përfaqëson thjesht një rotacion të ri në të njëjtën skenë politike.

Publikuar nga Publik Media