Kush është Ramadani, 90-vjeçari nën hetim nga SPAK-u!
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ka shpallur fituese kompaninë “Ed Konstruksion” sh.p.k. për një kontratë me vlerë 3.4 milionë euro në qytetin e Sarandë, ndërkohë që subjekti rezulton nën hetim penal për një tjetër procedurë publike.
Sipas njoftimit të publikuar në Buletinin e Prokurimeve Publike më 16 shkurt 2026, tenderi ka si objekt “Ndërtim i rrjetit të kanalizimeve në lagjen ‘Baba Rexhepi’ dhe lidhja e kolektorit në bulevardin e Sarandës”. Kontrata i është dhënë kompanisë në pronësi të 90-vjeçarit Ramadan Ibrahimi.

Ndërkohë, kompania “Ed Konstruksion” sh.p.k. dhe bashkëpunëtorë të saj janë në hetim nga SPAK në lidhje me tenderin për ujësjellësin zonal të Memaliaj, me vlerë rreth 5 milionë euro. Sipas procedimit penal, janë konstatuar dyshime për shkelje në fazën e dhënies dhe zbatimit të kontratës.

Në dosjen hetimore përmendet se tenderi i Memaliajt është dhënë nga ish-kryebashkiaku Gjolek Guci, ndërsa sipas kallëzimit të depozituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, procedura dyshohet se është zhvilluar me paracaktim fituesi dhe me vlerë kontrate më të lartë se kostoja reale e projektit. Po ashtu, hetimet përfshijnë edhe kompaninë “KEG” sh.p.k.
Sipas materialeve të referuara në procedimin penal, një pjesë e pagesave janë kryer para nisjes së punimeve, ndërsa projekti, i cili duhej të përfundonte brenda majit 2023, raportohet se ka mbetur në nivel të pjesshëm realizimi.
Në këtë kontekst, shpallja fituese e “Ed Konstruksion” sh.p.k. në një tjetër tender publik ka ngritur pikëpyetje mbi kriteret e integritetit dhe verifikimit të subjekteve që marrin pjesë në prokurimet publike, sidomos kur ndaj tyre ka hetime në vijim.
Deri më tani, nuk ka një reagim publik nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve lidhur me faktin që kompania fituese është subjekt i një procedimi penal të hapur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



