Kush fshihet pas bastisjes së “call centera”-ve në Tiranë?
“Loja nuk luhet në Shqipëri. Në Shqipëri janë ata që përballojnë burgun”
SPAK zhvilloi një aksion të gjerë në Tiranë, ku bastisi disa call center-a të vendosur në dy kulla, duke çuar në arrestimin e 6 personave dhe shpalljen në kërkim të 3 të tjerëve, të dyshuar për mashtrimin e shtetasve të huaj përmes skemave me kriptomonedha.
Lidhur me këtë operacion, në emisionin “Të Paekspozuarit” u diskutua gjerësisht nga gazetarët Ferdinand Dervishi, Xhevahir Zhabina dhe Sokol Bregu, të cilët theksuan se aksioni është realizuar me ndihmë ndërkombëtare dhe se elementë kyç të hetimit, përfshirë edhe numrat e përdorur në mashtrim, kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë.
Gazetari Sokol Bregu deklaroi se përfituesit kryesorë të këtij biznesi shumë të madh kriminal nuk janë shqiptarët, por të huajt, duke veçuar bankierë italianë si pjesë e skemës. Sipas tij, Shqipëria shërben vetëm si hallka fundore, ku mbahen personat që përballen me pasojat penale.
Nga ana tjetër, Ferdinand Dervishi u shpreh se operacionet më të mëdha kriminale në vend kryhen nga të huajt, ndërsa Shqipëria shpesh reagon vetëm pas sinjaleve që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë. Ai theksoi se edhe në këtë rast ka pasur dekonspirim të operacionit, fakt që, sipas tij, është pranuar dhe konfirmuar nga vetë SPAK, pasi pajisjet ishin hequr një ditë para ndërhyrjes.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Ferdinand Dervishi: “Operacionet më të rënda na i bëjnë të huajt. Para këtij na kanë bërë spanjollët. Operacionet më të sakta, u rrimë gatitu të huajve. Në këtë rast ka dekonspirim, të pranuar, të konfirmuar, i kanë hequr një ditë më parë pajisjet. Për mua e kanë dekonspiruar njerëzit që e kishin lënë këtë të vepronte, policia, shërbimi sekret.”
Xhevahir Zhabina: “Sipas hetimit të një gazetari italian, kjo histori ka nisur 10 vite më parë dhe në krye qëndronte një ish-polic, personi kryesor që furnizonte me punonjës italian për këtë lloj biznesi. Që për 10 vite të funksionojë një call center në qendër të Tiranës, këtu i takon një përgjegjësi e madhe Policisë së Shtetit, që është bërë edhe garantore e këtij biznesi. Gazetarët italianë e kanë ndjekur këtë çështje edhe në Maltë, Qipro dhe Rumani, por baza kryesore ishte në Shqipëri.”
Sokol Bregu: “Loja nuk luhet në Shqipëri. Në Shqipëri janë ata që përballojnë burgun. Loja është e madhe, europiane. Janë bankierët italianë në mes. Edhe numrat vijnë nga jashtë. Nuk mund t’i biesh bingo dikujt që nuk ka para në bankë. Numrat vijnë nga jashtë. 100 euro nuk i transferon dot pa përshkrim. Paratë në bankë shkojnë në ish-vendet e Bashkimit Sovjetik.
Në Shqipëri vijnë cash, dikush i sjell cash ose kripto. Loja e madhe nuk është Shqipëria. Pse ka gjetur terren? Kur vidhen të huajt, policia nuk e vë ujin në zjarr. Nëse xhiroja është 1 milion euro në muaj, sa kthehen mbrapsht? 400 mijë euro. Tjetra zhduket. Këtu vijnë ose cash ose në kripto.
Loja e madhe luhet jashtë, shqiptarët janë fundorët. Kur vidhet një i huaj në Shqipëri, nuk shqetësohet njeri. Përkundrazi, për çdo operator kërkohet 5 mijë euro në muaj, që ndahen më pas në kupolën e policisë. Call center-at janë si targat dhe pasaportat dikur: e dije që ishte makinë e vjedhur, por i viheshin targa të reja.”
Diskutimi në studio nxori në pah dyshime serioze për përmasat ndërkombëtare të skemës, rolin e aktorëve të huaj dhe përgjegjësitë institucionale brenda vendit, ndërsa hetimet e SPAK vijojnë për të zbardhur të gjithë rrjetin dhe përfituesit realë të kësaj veprimtarie kriminale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



