Kush i financon dhe sa kushtojnë ekspozitat e Ramës jashtë vendit?
PD kërkon transparencë për ekspozitat e kryeministrit
Partia Demokratike ka kërkuar transparencë lidhur me financimin e ekspozitave artistike të kryeministrit Edi Rama jashtë Shqipërisë, duke ngritur pikëpyetje mbi kostot dhe burimet e financimit të tyre.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, u shpreh se ndërsa qytetarët përballen me rritje të kostos së jetesës dhe vështirësi ekonomike, kryeministri vijon të ekspozojë veprat e tij në galeri dhe evente prestigjioze ndërkombëtare.
Sipas saj, Rama ka zhvilluar ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në aktivitete artistike në vende si Gjermania, Franca, Italia, Greqia, Portugalia, SHBA, Turqia dhe Kina, si dhe në evente të njohura si Bienalja e Venecias, Centre Pompidou-Metz dhe Art Basel.
Vangjeli përmendi konkretisht ekspozitën “Chrysalizing”, të zhvilluar në galerinë Société në Berlin nga 1 maji deri më 27 qershor 2026, si dhe ekspozitën personale në Marian Goodman Gallery në Paris nga 8 qershori deri më 26 korrik 2024.
Sipas saj, vetëm përdorimi i hapësirave për këto dy ekspozita mund të ketë kushtuar qindra mijëra euro, pa përfshirë shpenzime të tjera si transporti i veprave, siguracioni, montimi dhe promovimi.
PD kërkon sqarime nëse këto aktivitete janë financuar nga vetë Rama, nga galeritë pritëse, sponsorë privatë apo subjekte të tjera, si dhe nëse janë deklaruar sipas kërkesave ligjore.
“Transparenca nuk është çështje preference, është detyrim kushtetues dhe ligjor. Askush, as Kryeministri, nuk mund të jetë mbi ligjin”, u shpreh Vangjeli.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Dhjetëra ekspozita ndërkombëtare, qindra ditë ekspozim, kush i financon ekspozitat e Edi Ramës? Ndërsa shqiptarët përballen me varfëri, taksa gjithnjë e më të larta dhe një kosto jetese që rritet çdo ditë, Kryeministri Edi Rama vijon të ekspozojë punët e tij artistike në galeritë më prestigjioze të botës , në ekspozita personale në Gjermani, Francë, Itali, Greqi, Portugali, Shtetet e Bashkuara, Turqi, Kinë dhe vende të tjera, apo pjesëmarrjeve në Bienalen e Venecias, Centre Pompidou-Metz, Art Basel etj.
Vetëm për përdorimin e hapësirave ekspozuese gjatë dy ekspozitave të fundit shpenzimet mund të arrijnë qindra mijëra euro, konkretisht: Ekspozita ‘Chrysalizing’, e zhvilluar në galerinë Société në Berlin nga 1 maji deri më 27 qershor 2026, zgjati 58 ditë. Po kështu, ekspozita personale në Marian Goodman Gallery në Paris, nga 8 qershori deri më 26 korrik 2024, zgjati 49 ditë.
Hapësirat e ekspozimit të këtyre niveleve, mund të kërkojnë kosto shumë të larta pa llogaritur e përfshirë transportin e veprave, siguracionin, montimin, promovimin dhe shpenzime të tjera organizative. Ndërkohë, Edi Rama ka zhvilluar ekspozita të tjera në Athinë, Napoli, Berlin, (SHBA), Stamboll, Hong Kong, Mynih dhe vende të tjera.
Në këto kushte, Partia Demokratike dhe opinioni publik kërkon transparencë për: A janë deklaruar në mënyrë të detajuar pranë institucioneve përgjegjëse të gjitha të dhënat nëse këto ekspozita janë kryer me shpenzime personale nga vetë Edi Rama, nga galeritë pritëse, nga sponsorë privatë apo nga subjekte të tjera? Kush dhe sa janë paguar për të mbuluar kostot e transportit ndërkombëtar të veprave, sigurimit, montimit, promovimit dhe organizimit të secilës nga këto ekspozita? Partia Demokratike i kërkon institucioneve përgjegjëse të verifikojnë nëse janë respektuar të gjitha detyrimet ligjore që lidhen me sa më lart. Transparenca nuk është çështje preference, është detyrim kushtetues dhe ligjor. Askush, as Kryeministri i Shqipërisë, nuk mund të jetë mbi ligjin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



