Kush ishin babë e bijë që humbën jetën në aksidentin tragjik në Lezhë
Një aksident i rëndë me pasoja fatale është regjistruar në Lezhë, ku babi dhe vajza e tij kanë humbur jetën pasi automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe përfundoi i përmbysur në një kanal.
Ngjarja ka ndodhur në aksin dytësor Lezhë–Kakarriq, në zonën e njohur si Gocaj.
Viktimat janë identifikuar si doktor Anton Keçi, 52 vjeç, Shef i Shëndetësisë në IEVP Lezhë, dhe vajza e tij 20-vjeçare, Bora Keçi, studente në vitin e dytë në Fakultetin e Mjekësisë.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se aksidenti ka ndodhur gjatë orëve të pasdites, por është zbuluar vetëm në mbrëmje.
Kanë qenë familjarët që, të shqetësuar nga mungesa e kontaktit, kanë nisur kërkimet. Më pas, shërbimet e policisë kanë bërë të mundur lokalizimin e automjetit në kanal, bashkë me trupat e pajetë të viktimave.
Vështirësia për gjetjen e tyre ka qenë e madhe, pasi zona ku ndodhej mjeti ishte e vështirë për t’u dalluar.
Në një reagim ngushëllimi, Drejtoria e Burgjeve bën me dije se 52-vjeçari ushtronte detyrën e Shefit të Shëndetësisë në institucionin penitenciar të Lezhës, ndërsa e bija po ndiqte gjurmët e tij në fushën e mjekësisë.
Sipas këtij institucioni, Anton Keçi kishte shërbyer për rreth 6 vite në sistemin penitenciar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



