Kush janë 5 bankierët që krijuan skemën MCA me 100 mijë viktima kredish?!

Përmasat e një mashtrimi që zgjoi frikën e piramidave të ’96

Skandali i kompanisë “5D” nga Bashkia e Tiranës është zhvendosur në Bankën e Shqipërisë tek çeta “5B”. Banka Qëndrore tashmë është kthyer në skenë krimi.

Një skemë gjigande mashtrimi me kreditë ka rrënuar mijëra familje shqiptare. Qeveria është alarmuar nga shifrat që ka zbuluar në skemën “MCA”.

Banka e Shqipërisë me Guvernatorin Sejko u “transferuan” për hetime speciale nga Prokuroria e Tiranës tek SPAK. Ky i fundit po heton skemën “piramidale” të kredive që “de facto” kanë për pronarë pesë “aksionerët” e vërtetë të kompanive “MCA” dhe “Final”.

SPAK i fut të dridhurat Gent Sejkos, Guvernatori dorëzohet

Skandalet e Gent Sejkos

Duke e ndjerë frikën, Banka e Shqipërisë doli dje me një reagim për të larë veten lidhur me licencën e Micro Credit Albania…

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka filluar të dridhet pas hapjes së hetimeve nga SPAK, lidhur me skandalin e kompanive që rrjepin qytetarët me mikrokredi.

“Micro Credit Albania” është një nga ato kompani që shantazhon, kërcënon anatemon dhe “rrjep” qytetarët. Mirëpo Gent Sejko i pezulloi përkohësisht licencën, pa ja hequr fare dhe kjo ka bërë që SPAK të nisë një hetim.

Duke e ndjerë frikën, Banka e Shqipërisë doli dje me një reagim për të larë veten. Sipas saj, ajo nuk ka kompetencë të urdhërojë ndalimin apo pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve, pasi kjo është kompetencë që me ligj i njihet vetëm gjykatës kompetente. Po ashtu justifikohet më tej se veprimtaria e shërbimit përmbarimor, qoftë ky i organizuar në formë shtetërore apo private, nuk licencohet apo mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë.

Aksionerët nuk janë drejtorë bashkie dosido, por bankierë të sprovuar, drejtuesit kryesorë të Bankës së Shqipërisë dhe të gjithë sistemit bankar.

  1. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, njëkohësisht është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të BSH
  2. Donald Duraj, Shef i Kabinetit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, njëkohësisht Kryetar i Këshillit Drejtues të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave
  3. Altin Naqe, Drejtor i Departamentit Juridik të Bankës së Shqipërisë
  4. Deniz Deralla, Drejtor i Departamentit të Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë
  5. Bledar Shella, Drejtor Ekzekutiv i OTP Bank, njëkohësisht Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave

Skandali i dosjes “5D” dhe arrestimit të 3 drejtorëve të Bashkisë së Tiranës për abuzime me detyrën dhe korrupsion mund të shoqërohet shumë shpejt me ndërhyrjet e SPAK, tek çeta “5B”.

Kjo çetë me pesë bankierë që njihen me njëri- tjetrin për më shumë se 15 vjet ka krijuar një rrjet të vërtetë merimange, për shkak të njohjeve, lidhjeve miqësore dhe familjare që kanë pushtuar praktikisht kupolën e sstemit bankar.

Karriera e Gent Sejkos është e ngjitur me atë të krahut të djathtë të tij Donald Duraj, me të cilin ka ndarë çdo detaj të jetës bankare dhe personale.

Të dy kanë nisur ngjitjen në shkallët e sistemit bankar fillimisht te Raiffeisen Bank Albania, në pozicione të larta drejtuese (2005-2010).

Të dy zhvendosen më pas (2010-2015) tek Banka Societe Generale Albania, sot OTP, ku Sejko arriti të bëhet Zëvendës Drejtor i Përgjithshem dhe Duraj u emërua Drejtor i Operacioneve Komerciale.

Të dy prej vitit 2015 mbajnë postet më të larta në Bankën e Shqipërisë, njëri si Guvernator dhe tjetri Shef Kabineti.

Të dy kanë futur gratë e tyre në sistemin bankar. Elona Sejko është “de facto” drejtore ekzekutive e “Tirana Bank” prej 10 vitesh, ndërsa Suela Duraj (Lala), ish drejtore e Alpha Bank Albania për 10 vite, sot është Drejtore Rajonale e OTP. OTP që ka blerë dy banka ish Alpha Bank dhe ish Societe General Albania, është në kontroll të plotë të çetës “5B”.

Çeta “5B” ka aksioner edhe Bledar Shellën, ushtarin nga Lushnja të binomit Sejko-Duraj.

Shella u gjet se përpunohej më lehtë se të tjerët tek ish Societe Generale Albania, dhe pas disa provash besnikërie u bë Drejtor i Departamentit të Manaxhimit të Riskut.

Në 2015 me largimin për në Bankën e Shqipërisë të “shefave”, Bledar Shella u vendos në postin e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm të Societe Generale Albania.

Në 2018, u bë Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Societe Generale Albania, dhe para dy vitesh kreu i AAB (Shoqata Shqiptare e Bankave). Natyrisht që edhe gruaja e Bledar Shellës do sistemohej në Bankën e Shqipërisë. Në vitin 2019 Adelina Shella (Beqo) u pozicionua si përgjegjëse në një sektor të rehatshëm të BSH-së.

Altin Naqe, drejtori i Departamentit Juridik, me nofkën “përmetari” është “aksioneri” që lidh të shkuarën me të ardhmen në historikun e aferave në BSH.

“Përmetari” Naqe, i ka shpëtuar të gjitha dallgëve të drejtësisë që nga viti 2003 kur drejtonte operacionet tek “Partneri Shqiptar në Mikrokredi” që më vonë u quajt “Opportunity Albania”, sot NOA.

Klani Sejko-Duraj, e mbajtën përmetarin në lojë, për shkak të lidhjeve të tij të fuqishme në sistemin e drejtësisë.

Të gjitha aferat në prokurori duhet të mbylleshin nga Altin Naqe, me lidhje direkte me dy prokurorë në Prokurorinë e Tiranës, një në Prokuorinë e Përgjithshme.

Naqe u përdor për rekrutimin përfundimtar të drejtorit nr. 5- Deniza Deralla dhe vazhdimin e aferës së Hotel Dajtit, për të cilën kishte sistemuar çdo letër në kohën e Guvernator Fullanit.

Deniz Deralla, i rekrutuar nga Altin Naqe që në vitet 2000 u vendos në fillim i komanduar në pozicionin e drejtorit të Mbikëqyrjes së Bankave dhe Institucioneve financiare jobanka (2015) dhe më pas u emërua pasi dha prova që mund të bëhej pjesë e çetës “5D”.

Deniz Derralla mbylli sytë në korrik 2015 kur u shitën kreditë e para nga Societe General Albania tek MCA.

Portofolin e kredive që u shitën me mungesën totale të një kuadri ligjor e bëri gati Bledar Shella, nën kujdesin e veçantë të Gent Sejkos dhe Donald Durajt që tashmë kishin marrë frenat e Bankës së Shqipërisë dhe po bënin emërimet e reja për 10 vitet e ardhshme.

Nga 2015 deri 2024 Guvernatori i Bankës me krahun e tij të djathtë Donald Duraj, “mpinë” të gjithë sistemin politik dhe gjyqësor në vend me emërimet që bënë në strukturat me paga stratosferike në Bankën e Shqipërisë, për familjarët dhe të afërmit e njerëzve me pushtet. Prokurorë, ministra, politikanë lanë gratë “peng” në zyrat e çetës “5B”.

U ble heshtja e të gjithëve, derisa çeta “5B” zgjoi frikën popullore të rikthimit të skemave piramidale në vitit 1997.

A do blihet “heshtja” e SPAK pas skandalit “MCA” ku janë të paktën 100 mijë viktima të mashtruara dhe dërrmuara financiarisht në mbarë Shqipërinë. Kjo mbetet për t`u parë…

Publikuar nga Publik Media