Mosinformimi i policisë për sherrin në Palasë: Një dështim i qëllimshëm?
Naim Noka
Ngjarja e ndodhur në resortin luksoz në Palasë, ku një përleshje e dhunshme ndërmjet disa personave la dy të plagosur dhe shumë të tjerë të përfshirë, kanë nxjerrë në pah një problem thelbësor në menaxhimin e sigurisë dhe informimit nga policia.
https://www.instagram.com/reel/C_KiC4itjgV/?igsh=MzRlODBiNWFlZA==
Ajo që bie në sy më shumë se vetë ngjarja, është vonesa e pajustifikueshme e Policisë së Vlorës për të raportuar incidentin.
Në një vend ku siguria publike duhet të jetë prioritet, vonesa dhe fshehja e informacioneve të tilla është e papranueshme dhe ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si funksionon policia.
Policia e Shtetit e ka detyrim ligjor te informoje publikun, jo të dalë mbi ligjin, jo të mbrojë krimininelët në dëm të viktimave.
Ngjarja e Porgradecit është e akoma e freskët dhe përsëri policia ndoqi të njejtën metodë për dhunën e Palases.
Fshehën emrat e autorëve dhe nuk e permenden personin në kërkim derisa detyrohen nga informacioni i mediave.
Së pari, çështja e saktësisë së informacionit është alarmante. Policia raportoi fillimisht se ngjarja kishte ndodhur të hënën, më 26 gusht, vetëm për të korrigjuar më vonë se përleshja kishte ndodhur në mesnatën e së shtunës, më 25 gusht.
Një gabim i tillë, në një ngjarje me kaq shumë rëndësi, nuk mund të konsiderohet thjesht një keqkuptim. Kjo tregon një nivel të ulët profesionalizmi dhe një mungesë të theksuar të koordinimit mes strukturave të ndryshme të policisë. Sa herë duhet të ndodhin ngjarje të tilla për të kuptuar se vonesa në raportim mund të ketë pasoja të rënda, jo vetëm për sigurinë publike, por edhe për besueshmërinë e institucioneve?
Së dyti, fakti që policia nuk raportoi menjëherë për përleshjen dhe përfshirjen e personave të njohur për autoritetet është tejet shqetësues.
Nëse një individ si Fatmir Bejo, i cili ka qenë në kërkim për një varg krimesh të rënda, mund të lëvizë lirshëm në ambiente publike dhe të marrë pjesë në incidente të dhunshme, kjo është një akuzë e drejtpërdrejtë për dështimin e sistemit të sigurisë.
Si është e mundur që një person i tillë nuk është ndaluar, pavarësisht se ishte në kërkim për krime të rënda? A është policia vërtetë e paaftë për të zbatuar ligjin apo ka pasur ndonjë arsye të fshehtë për të lejuar që ngjarja të mos bëhet publike menjëherë?
Së fundi, mosraportimi në kohë i ngjarjes dhe fshehja e identitetit të personave të përfshirë ngre dyshime të arsyeshme mbi transparencën e policisë dhe aftësinë e saj për të kryer detyrën.
Në një vend ku korrupsioni dhe favorizimi i individëve të caktuar është një problem i vazhdueshëm, vonesa të tilla vetëm sa e minojnë më tej besimin e qytetarëve tek autoritetet.
Në përfundim, policia ka një detyrim ndaj qytetarëve për të siguruar një informim të saktë, të shpejtë dhe të besueshëm. Ngjarjet në Palasë dhe mënyra se si ato u menaxhuan nga Policia e Vlorës tregojnë një dështim të madh në përmbushjen e këtij detyrimi.
Në një kohë kur siguria është thelbësore, mungesa e transparencës dhe profesionalizmit nga ana e policisë është një këmbanë alarmi që nuk duhet injoruar.
Qytetarët meritojnë më shumë, dhe është koha që policia të tregojë se mund të jetë një institucion që vepron me përgjegjësi dhe ndershmëri.
***
Ngjarja ka ndodhur në një resort luksoz, në të cilin mbrëmjen e së shtunës ishte ftuar të këndonte një këngëtar grek dhe sipas të dhënave, masat e sigurisë kanë qenë maksimale.
Por sherri i ndodhur rreth orës 02.30 të së dielës është bërë publik vetëm dje nga policia lokale dhe ajo e Vlorës, ndonëse ende për policinë janë të paidentifikuar edhe 2 persona të tjerë!
Policia e Vlorës ka nisur tri informacione në lidhje me ngjarjen e rëndë, ku fillimisht kishte probleme edhe me datën se kur ka ndodhur, ndërsa bënte me dije se është një i plagosur dhe dy në kërkim.
Pamjet filmike të dhunës brutale të dashamirësve të muzikës greke, që kishin mbërritur në atë resort dhe që u ngatërruan për pikat e shampanjës që iu bënë pis rrobat, treguan se në fakt ishin dy të plagosur dhe disa persona që ‘fluturonin’ gjithçka që gjendej në lokal. Mirëpo, ditën e djeshme, teksa policia rrekej të numëronte personat që mund të shpallte në kërkim si të përfshirë në ngjarje, u mësua se njëri nga dhunuesit që iku nga vendi i ngjarjes është një i shumëkërkuar.
Ai është përfshirë një vit më parë në një rrëmbim dhe mbajtje peng të një biznesmeni në Tiranë dhe po në Tiranë, në shkurtin e këtij viti, edhe pse ishte në kërkim nga policia, ai sulmoi me thikë një person në zonën e “Komunës së Parisit”. Dëshmitarët okularë që kanë qenë të pranishëm në resortin luksoz kanë treguar praninë e tij, çka la të dyshohej edhe në deklaratat e njëpasnjëshme të policisë së Vlorës!
TË PLAGOSUR
Luçiano Koçeku, 42 vjeç
Fatbardh Aliaj, 42 vjeç
NË KËRKIM
Fatmir Bejo, 30 vjeç
Xhoni Spaho, 28 vjeç
Genti Baleci, 49 vjeç
Klajdi Cerri, 32 vjeç
PËRLESHJA DHE PROTAGONISTËT
Një grup personash u përfshinë në një sherr të dhunshëm në ambientet e një resorti luksoz në Palasë, ndërsa mbante koncert këngëtari grek, Konstandinos Argiros, të shtunën.
Të plagosur mbetën Luçiano Koçeku 42 vjeç, biznesmen, i njohur dhe si Tur Koçeku, si edhe një person tjetër, i identifikuar si Fatbardh Aliaj, 42 vjeç. Mësohet se Koçeku ka pasur dëmtime në pjesën e sipërme të kokës.
Mes grumbullit të personave të përfshirë në përleshje, policia dje shpalli zyrtarisht në kërkim 4 prej tyre dhe konkretisht, Xhoni Spaho 28 vjeç nga Tirana, Genti Baleci 49 vjeç nga Durrësi, Fatmir Bejo, 30 vjeç nga Durrësi dhe Klajdi Cerri, 32 vjeç nga Tirana. Por bëhet me dije se edhe 2 persona të tjerë të përfshirë në sherr janë të paidentifikuar.
Fatmir Bejo 30 vjeç rezulton i përfshirë në plagosjen me thikë të shtetasit Mirel Ishka në shkurt të këtij viti në një lokal te “Komuna e Parisit” dhe në dhunimin e pengmarrjen për disa orë në prill të vitit 2023 të biznesmenit të ndërtimit, Gj. F., për një borxh të pretenduar prej 25 mijë euro.
Mbetet e paqartë se si Fatmir Bejo ishte në kërkim dhe ka hyrë dhe dalë nga ai lokal pa rënë në sytë e policisë. I kërkuari tjetër, Xhoni Spaho, rezulton të ketë kandiduar për deputet në zgjedhjet e vitit 2021 nga radhët e Partisë “Aleanca për Demokracinë e Re”, që drejtohet nga Edmond Stojku.
Policia raportoi fillimisht se ngjarja ndodhi të hënën më datë 26 gusht, por më pas u tha se përleshja ka ndodhur mesnatën e 25 gushtit 2024, pra 2 ditë më parë. Në një njoftim të dytë të dhënë për mediat, Policia e Vlorës saktësoi datën e ngjarjes dhe njoftoi se bëhej fjalë për 2 të plagosur dhe 4 persona në kërkim, ndryshe nga sa kishte raportuar më parë, për 1 të plagosur dhe 2 në kërkim. Jo vetëm kaq. Për ngjarjen policia është treguar e rezervuar në informacione, duke mos dhënë fillimisht identitetet e personave të përfshirë dhe aq më pak dinamikën e ngjarjes apo nëse motivi i kësaj përleshjeje të dhunshme, që për fat nuk u përsërit ngjarja e 10 gushtit në Pogradec, shkon përtej hatërmbetjes për të lagurit me shampanjë!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



