Kushtoi 14 mln euro, plasaritje të thella në rrugën Maliq–Gramsh
Aksi rrugor Maliq–Gramsh, i cili prej sot po përdoret si lidhje alternative mes juglindjes së vendit, Elbasanit dhe më tej Tiranës, po përballet me dëmtime të rënda strukturore që po ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë dhe qarkullimin e mjeteve.
Gjatë inspektimeve të kryera përgjatë ditës janë konstatuar çarje të thella dhe deformime në disa segmente të rrugës, duke e bërë kalimin të vështirë dhe potencialisht të rrezikshëm për drejtuesit e automjeteve. Në disa pjesë, amortizimi i asfaltit është përkeqësuar ndjeshëm, çka ka detyruar shoferët të ulin ndjeshëm shpejtësinë.
Ky segment, i ndërtuar nga kompania Gjikuria sh.p.k., me një vlerë investimi prej rreth 14 milionë euro (afërsisht 1.4 miliardë lekë), ka shfaqur problematika edhe në të kaluarën. Megjithatë, situata aktuale paraqitet më e rënduar, sidomos në kushtet kur kjo mbetet e vetmja rrugë funksionale që garanton lidhjen e qarkut të Korçës me Tiranën.
Me nisjen e qarkullimit të plotë të mjeteve në këtë aks, fluksi është rritur ndjeshëm, duke shtuar presionin mbi një infrastrukturë që aktualisht nuk po përballon ngarkesën. Autoritetet pritet të vlerësojnë ndërhyrjet emergjente për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës dhe për të garantuar sigurinë rrugore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



