Kuvendi i Shqipërisë del me deklaratë pas vendimit të Hagës
“Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli, nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së”
Palët politike lënë mënjanë përplasjet dhe dakordësohen për një qëndrim të përbashkët pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së me 81 vite burgim në total. Kuvendi e cilëson vendimin të padrejtë dhe nënvizon rëndësinë historike të luftës së Kosovës.
Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka sjellë një qëndrim të përbashkët në Kuvendin e Shqipërisë, duke afruar përkohësisht edhe dy forcat kryesore politike, PS-në dhe PD-në.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan më 16 shtator me një total prej 81 vitesh burgim për krime lufte. Thaçi dhe Krasniqi morën nga 25 vite burgim, Veseli 18 vite, ndërsa Selimi 13 vite.
Në nisje të seancës plenare, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, bëri të ditur se grupet parlamentare kanë rënë dakord për hartimin e një deklarate të përbashkët lidhur me vendimin e Hagës. Sipas tij, dokumenti po përgatitet nga Komisioni për Çështjet Europiane dhe të Jashtme.
Në deklaratën e Kuvendit, aktgjykimi cilësohet si i padrejtë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Kuvendi shprehet gjithashtu se lufta e UÇK-së duhet parë në kontekstin e luftës së Kosovës për çlirim dhe i referohet represionit, dhunës dhe përndjekjes së popullsisë shqiptare gjatë konfliktit.
“Vendim që e konsideron të padrejtë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Kuvendi rithekson një të vërtetë historike: Lufta e UÇK-së ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes.”
Në qëndrimin e tij, Peleshi theksoi se vendimi i Hagës përbën një moment me peshë për Kosovën, por edhe për kujtesën historike shqiptare. Ai tha se Kuvendi do ta përcjellë qëndrimin e tij përmes deklaratës së përbashkët të të gjitha forcave politike.
Deklarata parlamentare i lidh katër ish-drejtuesit e UÇK-së me historinë politike të Kosovës dhe rrugëtimin e saj drejt lirisë, ndërsa shpreh shqetësim për atë që Kuvendi e konsideron si standarde të ndryshme në trajtimin publik të figurave të lidhura me krimet e luftës në rajon.
“Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli, nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së.”
Kuvendi shprehet gjithashtu kundër nderimeve publike për persona të dënuar për krime lufte dhe përmend në mënyrë të veçantë glorifikimin e Ratko Mlladiçit, duke e lidhur këtë me çështjen e viktimave, pajtimit dhe vlerave evropiane.
Qëndrimi i përbashkët i forcave politike në Shqipëri vjen një ditë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjykata i dënoi katër ish-krerët për krime lufte, ndërsa i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Vendimi i shkallës së parë mund të ankimohet.
DRAFT DEKLARATË E KUVENDIT TË SHQIPËRISË
Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me një vendim që e konsideron thellësisht të padrejtë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike që nuk mund të relativizohet: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes dhe për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e vet. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, dhunës, spastrimit etnik dhe genocidit të kryer nga regjimi i Slobodan Milosheviçit. Pa luftën dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtimit gjakatar serb, historia e çlirimit të Kosovës nuk mund të kuptohet. UÇK-ja ishte forcë vendimtare e rezistencës së popullit të Kosovës dhe e rrugës që çoi drejt çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së saj. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë të pandashëm nga kjo histori, nga lufta për çlirim dhe nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së saj.
Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën. Nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së.
Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për standardet e dyfishta në trajtimin e së kaluarës së përgjakshme të rajonit. Nderimet publike dhe shtetërore që u rezervohen personave të dënuar për krime lufte, si edhe glorifikimi i figurave të lidhura me gjenocidin dhe spastrimin etnik, përfshirë Ratko Mladiçin, cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat europiane.
Kuvendi qëndron kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht këtë proces, për të relativizuar krimet e regjimit të Miloševićit dhe për të delegjitimuar luftën çlirimtare, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.
Kuvendi i Shqipërisë qëndron në solidaritet të plotë me Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, si dhe pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre.
E palëkundur mbetet bindja jonë në pafajësinë e tyre dhe po aq e palëkundur mbetet e vërteta historike: UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.
Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund, duke garantuar respektimin e plotë të standardeve të procesit të rregullt ligjor.
Kuvendi i Shqipërisë angazhohet që:
Në të gjitha forumet ndërkombëtare të denoncojë krimet e regjimit serb të Slobodan Milosheviçit në Kosovë, përfshirë aktet gjenocidale, krimet e luftës dhe dhunën seksuale gjatë luftës; të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të dënojë mungesën e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve, vendosjen e përgjegjësisë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat.
Të koordinojë veprimet me Kuvendin e Kosovës, dhe i bën thirrje të dyja Qeverive tona që gjithashtu të koordinojnë veprimet, me qëllim korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



