E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lajm i hidhur për të gjithë ju që keni makina elektrike
Flash

Lajm i hidhur për të gjithë ju që keni makina elektrike

Në një kohë kur vendet e Bashkimit Europian po hartojnë politika për të nxitur futjen masive të automjeteve elektrike, Shqipëria po ecën në drejtim të kundërt.

Me një vendim të papritur, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike për stacionet e karikimit të makinave elektrike, duke e vënë në pikëpyetje të gjithë strategjinë kombëtare për uljen e ndotjes dhe tranzicionin drejt mjeteve më miqësore me mjedisin.

Ky vendim vjen si një paradoks, në një kohë kur edhe vetë qeveria shqiptare është shprehur publikisht pro zhvillimit të transportit të pastër dhe ka mbështetur skema të subvencionimit për mjete elektrike.

Ndikimi i menjëhershëm: rritje çmimesh dhe frenim investimesh

Pre e këtij vendimi bëhen:

  • Transporti publik elektrik, përfshirë taksitë elektrike, të cilat pritet të rrisin çmimin e shërbimit;

  • Bizneset private, që kanë investuar në stacione karikimi në të gjithë vendin;

  • Konsumatorët, të cilët kishin filluar të konsideronin blerjen e makinave elektrike si një alternativë më ekonomike dhe më ekologjike.

Rritja e tarifës për energjinë e karikuesve pritet të ulë ndjeshëm interesin për importin dhe përdorimin e mjeteve elektrike, duke frenuar kështu një nga sektorët më premtues të zhvillimit të qëndrueshëm në vend.

Një vendim në kundërshtim me objektivat e gjelbërta

Ky ndryshim tarifor është parë nga ekspertët dhe operatorët e tregut si një hap pas në përpjekjet për dekarbonizimin e sektorit të transportit. Në mungesë të një infrastrukture të qëndrueshme dhe mbështetjeje afatgjatë, ky vendim i ERE-s jo vetëm që penalizon aktorët ekzistues, por dëmton klimën e investimeve në teknologji të gjelbra.

ERE “kundër” qeverisë, nga 1 nëntori rrit

VoxNews ka siguruar vendimin nr. 255 të ERE-s, ku theksohet se kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë për stacionet e karikimit të makinave elektrike ka ardhur nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU).

Sipas FSHU-së, gjatë 8-mujorit të parë të vitit 2025 është shënuar një rritje e ndjeshme në konsumimin e energjisë nga stacionet e karikimit të makinave elektrike. Kjo, sipas tyre, justifikon nevojën për krijimin e një kategorie të re konsumatore, për shkak se përdorimi i këtyre mjeteve është në rritje të vazhdueshme dhe pritet të vijojë me të njëjtin ritëm, sipas të dhënave të DPSHTRR.

Kjo sjellje krijon një paradoks të qartë: një institucion shtetëror ankohet për efektet e politikave të qeverisë, të cilat në teori promovojnë transportin e gjelbër. Pyetja që lind është: kujt i pengon rritja e përdorimit të makinave elektrike? Sigurisht jo qytetarëve, të cilët përfitojnë nga një transport më pak ndotës dhe më ekonomik, si në përdorim ashtu edhe në mirëmbajtje. Rritja e këtij segmenti do të ndihmonte edhe transportin publik, sidomos në qytete si Tirana ku ndotja e ajrit është në nivele alarmante.

Në vendim theksohet se, pavarësisht se shoqëria ka ruajtur një performancë pozitive financiare për periudhën janar–gusht 2025, kostoja e disbalancave në rrjet ka qenë më e lartë se parashikimi fillestar.

FSHU argumenton se kjo kosto shtesë vjen kryesisht si rezultat i shtimit të konsumit nga stacionet e karikimit me fuqi të instaluar mbi 11 kW. Përveç kësaj, shtohet edhe pamundësia për të parashikuar saktë profilet e konsumit të energjisë – për shkak të intensitetit të lartë në fazën fillestare të karikimit, variabilitetit kohor, apo përdorimit të njëkohshëm nga disa automjete.

Sipas të dhënave zyrtare, deri në maj 2025 numri i automjeteve elektrike të regjistruara është rritur me rreth 26% vetëm në 5-mujorin e parë të vitit. Po ashtu është shtuar ndjeshëm edhe numri i stacioneve të karikimit me fuqi mbi 11 kW, duke rritur për rrjedhojë edhe konsumin e energjisë.

Bazuar në këto argumente, FSHU propozon rritjen e çmimit për këtë kategori në 22 lekë/kWh, nga 14 lekë/kWh që ishte më parë – një rritje prej 57%, të justifikuar si pasojë e “shtesës së kostove të disbalancave”.

Pra, një vendim që godet drejtëpërdrejt një sektor që është thelbësor për tranzicionin energjetik dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës në zonat urbane. Në vend që të nxisë investimet në transport të pastër dhe efikas, shteti vendos t’i penalizojë ato përmes tarifave më të larta, në kundërshtim me trendin europian dhe interesin publik.

ERE “kundër” qeverisë, nga 1 nëntori rrit

Faksimile: Vendimi i ERE-s, i cili ka miratuar me “sy mbyllur” kërkesën e FSHU-së

Ashtu si në çdo rast tjetër të rritjes së çmimit të energjisë, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka miratuar me “sy mbyllur” propozimin e FSHU-së për të rritur tarifat e karikimit të makinave elektrike. Në vendimin nr. 255 thuhet se ERE, në fillim të vitit 2025, ka kryer vlerësimet e saj mbi të ardhurat e kërkuara dhe çmimet e shitjes së energjisë për klientët e Furnizuesit të Shërbimit Universal.

Sipas ERE-s, rrjeti energjetik po bëhet gjithnjë e më kompleks për shkak të shtimit të burimeve të rinovueshme dhe pikave të karikimit për makinat elektrike – zhvillime që, sipas tyre, kërkojnë “zgjidhje të qëndrueshme dhe inovative për balancim”.

Në përputhje me parimet e vendosura për çmimet – si kosto-reflektimi, transparenca dhe mosdiskriminimi – ERE ka vendosur të shtojë këtë kosto të re për konsumatorët që përdorin pika karikimi me fuqi të instaluar mbi 11 kW. Sipas vendimit, çmimi i ri prej 22 lekë/kWh do të aplikohet nga data 1 nëntor 2025 për të gjithë abonentët familjarë dhe jofamiljarë që kërkojnë një linjë të veçantë ose shtesë fuqie për qëllime karikimi të makinave elektrike.

Me këtë vendim, në vend që të stimulohet përdorimi i mjeteve elektrike për të reduktuar ndotjen dhe varësinë nga karburantet, penalizohen pikërisht ata qytetarë që kanë zgjedhur një mënyrë më të pastër dhe më efikase transporti.

Edhe pse në fund të vendimit ERE lë hapësirë për ankim brenda 7 ditëve kalendarike, në rast se paraqiten prova të reja apo gabime materiale, nuk ka asnjë referencë se janë konsultuar grupet e interesit përpara miratimit të kësaj mase. Vendimi është marrë pa transparencë dhe pa asnjë përpjekje për të kuptuar ndikimin real tek mijëra konsumatorë dhe bizneset që operojnë në këtë fushë.

Në një kohë kur Europa subvencionon karikimin e makinave elektrike, Shqipëria vendos t’i taksojë më rëndë. Dhe sërish, faturën e paguan qytetari.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.