‘Lajthit’ Meloni, nxjerr ushtrinët të luftojë përballë popullit të saj
500 ushtarë shtesë do të dërgohen në Milano
Italia ashpërson ligjet pas trazirave: Prindërit do të paguajnë dëmet, deri në 5 vite burg për dhunën në protesta
Qeveria italiane ka miratuar një paketë të re masash për forcimin e sigurisë publike, pas trazirave të dhunshme në Milano, ku gjatë fundjavës u plaçkitën dyqane, u dëmtuan prona dhe u plagosën më shumë se 100 efektivë policie.
Masat e reja, të miratuara nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, parashikojnë shtimin e pranisë ushtarake në qytet, ashpërsimin e ndëshkimeve për aktet e dhunës dhe përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara nga të miturit.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, në Milano pritet të dërgohen edhe 500 ushtarë deri në fund të vitit, me synimin për të forcuar sigurinë dhe për të parandaluar përsëritjen e trazirave.
Prindërit do të paguajnë për dëmet e shkaktuara nga të miturit
Një nga pikat e paketës së re lidhet me përgjegjësinë financiare të prindërve për dëmet që shkaktojnë fëmijët e tyre të mitur.
Dekreti parashikon gjithashtu lehtësimin e ndjekjes penale për personat mbi 14 vjeç, në përputhje me kushtet e përcaktuara nga legjislacioni i ri.
Pjesëmarrja në protesta të shoqëruara me akte dhune mund të dënohet me deri në pesë vjet burg dhe gjoba deri në 20 mijë euro. Masat parashikojnë ndëshkime më të rënda në rrethana të caktuara, përfshirë rastet kur personat mbulojnë fytyrën ose plagosin të tjerë.
Paketa synon të vendosë pasoja më të forta për personat që përfshihen në akte dhune dhe për dëmtimin e pronës gjatë trazirave.
Meloni: Pamjet e dhunës janë shqetësuese
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i ka cilësuar shqetësuese pamjet e regjistruara gjatë trazirave, duke vënë theksin te përfshirja e të rinjve në plaçkitje dhe dëmtimin e pronës.
Qeveria ka njoftuar gjithashtu zgjerimin e kapaciteteve në qendrat e paraburgimit dhe shtimin e numrit të gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë për të miturit, me synimin për të përballuar më mirë çështjet që lidhen me këtë kategori.
Sipas policisë së Milanos, rreth 2 mijë të rinj morën pjesë në trazirat e së shtunës në mbrëmje. Nga rreth 50 personat e arrestuar gjatë fundjavës, më shumë se 30 ishin të mitur.
Dekreti duhet të marrë miratimin e parlamentit
Pavarësisht miratimit nga qeveria, masat nuk kanë përfunduar ende procesin legjislativ. Dekreti duhet të shqyrtohet dhe të miratohet nga parlamenti italian brenda 60 ditësh, në mënyrë që të shndërrohet në ligj.
Paketa e Melonit e vendos sigurinë publike dhe përgjegjësinë për dëmet në qendër të reagimit institucional pas trazirave në Milano, ndërsa zbatimi përfundimtar i masave do të varet nga procedura parlamentare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



