Naim Noka
Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, vijon të demonstrojë një pandëshkueshmëri të skajshme në aferën e inceneratorëve, një nga skandalet më të mëdha korruptive në historinë e Shqipërisë. Në një akt sfidues ndaj publikut dhe drejtësisë, Veliaj mbylli vitin 2024 me një “dhuratë” prej 750 mijë eurosh për kompaninë koncesionare të landfillit të Sharrës, “Integrated Energy bv”. Në orët e fundit të 31 dhjetorit, kjo shumë u pagua për një shërbim që është jo vetëm i mangët, por edhe i bazuar mbi një kontratë të zhytur në korrupsion.
SPAK-u mbyll sytë përballë parave publike
Nga muaji gusht i vitit 2024, Tirana është zhytur në një krizë mjedisore. Plehrat grumbullohen për ditë të tëra në kontenierë të tejmbushur, duke krijuar jo vetëm një situatë të padurueshme për qytetarët, por edhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik. Megjithatë, Veliaj vazhdon të paguajë me përpikmëri shumën prej 29 eurosh për çdo ton mbeturina që dorëzohet në landfillin e Sharrës – një shërbim që nuk përmbushet siç duhet.
Në kontratë parashikohet që mbetjet të depozitohen, përpunohen dhe incenerohen, por fakti është se impianti i djegies nuk ekziston. Pavarësisht kësaj, pagesat vazhdojnë, dhe me to, edhe heshtja e institucioneve të drejtësisë.
SPAK mbrojtës i pandëshkueshmërisë?
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka hapur hetime për këtë aferë që nga viti 2020. Pas katër vitesh hetime, ajo ka vendosur nën akuzë zyrtarë të nivelit të ulët, duke shmangur sistematikisht personat që kanë dhënë dritën jeshile për një projekt që ka thithur qindra milionë euro nga taksapaguesit.
Si është e mundur që SPAK, një institucion i ngritur për të luftuar korrupsionin e lartë, t’i shmanget përballjes me emrat e mëdhenj të kësaj afere? A është Erion Veliaj mbi ligjin? Apo ky institucion ka zgjedhur t’i shërbejë si mburojë pushtetit dhe jo interesave të qytetarëve?
Një projekt që sfidon logjikën dhe drejtësinë
Inceneratori i Sharrës është simboli i një pushteti të korruptuar deri në palcë, që nuk njeh kufij në abuzimin me fondet publike. Ky projekt, me një vlerë koncesionare prej 120 milionë eurosh, në realitet ka kushtuar shumë më tepër për qytetarët – jo vetëm në para, por edhe në shkatërrim të besimit te drejtësia.
Veliaj nuk është thjesht një administrator i një bashkie; ai është një shembull i gjallë i asaj çfarë ndodh kur pushteti dhe pandëshkueshmëria bashkëjetojnë. Heshtja e SPAK-ut vetëm sa e thellon këtë ndjenjë të padrejtësisë, duke e bërë të qartë se drejtësia në Shqipëri ka një sy të mbyllur për ata që ndodhen në majë të piramidës. SPAK duhet të ndalojë të fshehë kokën si struci dhe të përballet me të vërtetën. Ndryshe, Shqipëria do të vijojë të jetë vendi ku korrupsioni po lulëzon me bekimin e heshtur të drejtësisë.