E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lapaj padit në Kushtetuese fondin 4 mln€ për koncertin e  Wes
Lajme

Lapaj padit në Kushtetuese fondin 4 mln€ për koncertin e Wes

ngre dyshime edhe për përfitimet fiskale

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e aktit normativ me të cilin qeveria shqiptare akordoi 4 milionë euro për organizimin e koncertit të Kanye West në Tiranë.

Sipas njoftimit, kërkesa do të depozitohet nesër në orën 10:00. Para dorëzimit të saj, kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, pritet të mbajë një deklaratë publike për mediat.

Në argumentet e paraqitura, lëvizja ngre pikëpyetje jo vetëm mbi përdorimin e fondeve publike, por edhe mbi mënyrën e organizimit të aktivitetit. Biletat e koncertit shiten përmes platformës ndërkombëtare Viagogo, ndërsa sipas Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, organizatore e eventit është kompania gjermane Streetlife International.

Sipas “Shqipëria Bëhet”, organizimi përmes subjekteve të huaja ngre pikëpyetje mbi përfitimet fiskale për shtetin shqiptar, duke argumentuar se kompanitë që operojnë jashtë vendit nuk i nënshtrohen të njëjtave detyrime si subjektet vendase, përfshirë TVSH-në mbi shitjen e biletave apo tatimin mbi fitimin.

Në të njëjtën kohë, lëvizja sjell në vëmendje edhe kompaninë Redcloud, e cila do të mbështesë realizimin teknik të koncertit në terren. Sipas të dhënave të cituara nga Qendra Kombëtare e Biznesit, kjo kompani rezulton të ketë një masë sigurimi për detyrime tatimore të vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në tetor 2024, ndërsa masa për bllokimin e tjetërsimit të aksioneve vijon të jetë aktive.

Padia në Gjykatën Kushtetuese pritet të hapë një debat juridik mbi ligjshmërinë e financimit publik të koncertit, si dhe mbi transparencën fiskale të kompanive të përfshira në organizimin e tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.