Largimi i “neomalësores” nga PS dhe prapaskenat e vendimit
Deputetja e zgjedhur në Qarkun e Shkodrës, Marjana Koçeku, ka vendosur të shkëputet nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke njoftuar se do ta vazhdojë mandatin e saj si deputete e pavarur në Kuvend.
Burime pranë zhvillimeve politike bëjnë me dije se ky vendim vjen pas një periudhe tensionesh dhe mospërputhjesh me qëndrimet zyrtare të grupit socialist. Një nga momentet që ka theksuar diferencat ishte votimi për ligjin e barazisë ligjore, ku Koçeku zgjodhi të mos marrë pjesë, duke u larguar nga salla.
Po ashtu, mësohet se deputetja është përballur me kritika në mbledhjet e brendshme të grupit parlamentar, përfshirë edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Një prej çështjeve që ka nxitur debat ka qenë ndërhyrja ndaj ndërtimeve në zonën e Thethit, ku qëndrimet e saj nuk kanë qenë në një linjë me shumicën.
Në daljet e saj publike, Koçeku ka ngritur vazhdimisht shqetësime për problematika mjedisore, veçanërisht për ndotjen e lumenjve në zonën e Shkodrës. Në disa raste, ajo ka mbajtur qëndrime që kanë përkuar me ato të opozitës, duke mbështetur edhe iniciativa të deputetëve si Kliti Hoti.
Gjithashtu, ajo është shprehur në mbështetje të rektorit Gjuraj, duke thelluar më tej debatet brenda radhëve të Partisë Socialiste.
Një episod që ka tërhequr vëmendje ka qenë edhe një deklaratë e saj gjatë një aktiviteti për 35-vjetorin e PS-së në Shkodër. Në një takim të zhvilluar në kala, një koment i drejtuar kryeministrit Rama, lidhur me “bluzën rozë me flamingo”, është interpretuar nga të pranishmit si një ironi, duke reflektuar klimën e tensionuar mes palëve.
Largimi i Koçekut nga grupi parlamentar socialist pritet të ketë ndikim në dinamikat politike brenda Kuvendit, ndërsa mbetet për t’u parë se cili do të jetë roli i saj në vijim si deputete e pavarur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



