Largohet nga detyra Bujar Deliallisi, zbulohet kush e zëvëndëson
Një ndryshim i rëndësishëm është bërë në strukturat e Policisë në Durrës. Pas më shumë se tre vitesh në detyrën e Zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimeve, Bujar Deliallisi është larguar nga posti që mbante, duke u vënë në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Lajmi konfirmohet edhe nga një mesazh përshëndetës i vetë Deliallisi-t drejtuar kolegëve, ku ai shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin, mbështetjen dhe sfidat e përbashkëta gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
“Po mbyll një rrugëtim mbi 3-vjeçar në këtë detyrë… faleminderit për bashkëpunimin, respektin dhe mbështetjen në çdo ditë pune, në sfida dhe suksese të përbashkëta”, shprehet ai ndër të tjera në mesazhin e tij.
Në vend të tij është emëruar Ermir Shehu, i cili pritet të marrë drejtimin e sektorit të hetimit të krimeve në këtë drejtori, në një kohë kur sfidat ndaj kriminalitetit në qarkun e Durrësit mbeten të larta.
Ndryshimi vjen në kuadër të lëvizjeve të brendshme në strukturat e Policisë së Shtetit, me synim rritjen e eficiencës dhe forcimin e luftës kundër krimit.
Burime bëjnë me dije se Deliallisi pritet të angazhohet në një tjetër funksion brenda strukturave të policisë, ndërsa Shehu do të duhet të përballet menjëherë me dosje dhe çështje të rëndësishme në një nga qarqet më problematike në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco





